Paris, 15 gusht, NOA - Franca është e gatshme të dërgojë misionin e saj të ndihmës në Pakistan, në kuadër të asistencës që vendet e NATO-s do të japin për popullin pakistanez.
Kështu deklaroi sot presidenti francez, Nikolas Sarkozy në një letër drejtuar kreut të Komisionit Evropian, Hose Manuel Barrozo.
Ai tha se “është e rëndësishme që Europa të tregojë në mënyrë të hapur mbështetjen ndaj popullit pakistanez”.
“Përballë një situate të tillë”, është shprehur Sarkozy, “Bashkimi Evropian duhet të reagojë si një i tërë duke sensibilizuar edhe pjesën tjetër të globit, në mënyrë, që të shmanget katastrofa humanitare”.
Shuma, që Bashkimi Evropian i dha qeverisë pakistaneze në fazën e parë të ndihmës ishte 40 milionë euro. Në letrën drejtuar Barrozos, Sarkozy thotë së vendet e Bashkimit Evropian mund të bëjnë më shumë për të plotësuar nevojat emergjente, që ka Pakistani në këtë moment.
Ndërkaq Ministria e Jashtme franceze njoftoi sot se dërgoi në Pakistan një avion me 60 ton ndihma ushqimore. Prej tri javësh Pakistani është mbërthyer nga një katastrofë natyrore si pasojë e përmbytjeve, më e rënda në historinë e vendit.
Përmbytjet kanë prekur 20 milionë njerëz, nga të cilët 1 600 prej tyre humbën jetën.
mit/NOA