English

Urgjent, vetëdorëzohet Ilir Muka, autori i vrasjes së Aristotel Gumës

Vlorë, 15 gusht, NOA – Pak minuta më parë është vetëdorëzuar në policinë e Vlorës, 20 vjeçari Ilir Muka, i akuzuar si autori i vrasjes në një aksident të qëllimshëm, të 35 vjeçarit nga Himara, Aristotel Guma.

Ilir Muka fshihej prej ditësh në një zonë të Himarës, ku dhe u gjet i dehidratuar dhe në gjendje të rëndë psikologjike nga familjarët e tij, të cilët e bindën 20 vjeçarin t’i japë fund arratisë.

Burime nga policia e Vlorës thanë për agjencinë NOA se 20 vjeçari Muka ndodhet tashmë në dhomat e paraburgimit në policinë e Vlorës, ku po merret në pyetje nga oficerët e policisë.

Ai ishte shpallur prej tri ditësh në kërkim nga policia, e cila kishte vendosur një shpërblim prej 20 mijë dollarësh për këdo që do të jepte informacion rreth vendndodhjes së tij.

Madje Ilir Muka pretendohej edhe se mund të kishte dalë jashtë kufirit shqiptar, drejt Greqisë për t’i shpëtuar kapjes.

Një ditë pas vrasjes së qëllimshme të Aristotel Gumës, shtatë persona, miq të Ilir Mukës ranë në prangat e Policisë.

Ata ishin 21 vjeçari Aleksander Lavdosh Gjokaj; 22 vjeçari Bledar Engjëll Meminaj; 25 vjeçari Andi Petrit Kotorri; 23 vjeçari Juxhin Mentor Mustafaraj; 19 vjeçari Dijon Gjolek Bushi; 21 vjeçari Fabjon Fatosh Jahaj; 22 vjeçari Endrit Zeqir Salataj, pasi ata akuzoheshin si autorë të vrasjes me dashje dhe përkrahjes së autorit të krimit, që i solli vdekjen himarjotit Aristotel Guma.

Ngjarja ku gjeti vdekjen e menjëhershme 35 vjeçari Guma, ndodhi mbrëmjen e të enjtes, rreth orës 22.00, kur Aleksandër Gjokaj, Bledar Meminaj, Andi Kotorri dhe Juxhin Mustafaraj, teksa udhëtonin me një mjet tip Audi, me ngjyrë gri, me targa angleze, një makinë e drejtuar nga Ilir Muka, në aksin rrugor të Himarës, pas një debati etnik me shtetasin Aristotel Guma, banor i fshatit Himarë, i cili po udhëtonte me motoëikletë në të njëjtën rrugë, në vendin e quajtur “Avli”, e kanë përplasur fort atë me automjetin e tyre duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Sakaq drejtuesi i mjetit, Ilir Muka, i vetëdorëzuar tashmë, ka braktisur makinën dhe është larguar nga vendngjarja.

Ndërkohë, viktima Teli Guma është marrë për t’u transportuar në spitalin më të afërt, por ka vdekur rrugës për shkak të plagëve serioze.

Sipas dëshmive të cituara nga bashkëpunëtori ynë në vendin e ngjarjes, një ditë më parë, se mbrëmja e të enjtes, viktima Aristotel Guma ka debatuar me disa të rinj kosovarë për çështje etnike.

Guma mbronte idenë se, Himara është Greqi, ide e cila është kundërshtuar fort nga të rinjtë kosovarë.

Por, policia ende nuk ka dalë me një version zyrtar të vrasjes së himariotit Aristotel Guma, e cila në të dy vendet u reklamua si një vrasje për çështje etnike.

Lajmi për vrasjen e Aristotel Gumës ka vënë në lëvizje edhe politikën shqiptare, të cilët kanë dënuar aktin e rëndë, duke kërkuar kapjen e autorit.

Policia e Vlorës po heton tashmë për motivet e vërteta të aksidentit të qëllimshëm, të realizuar nga Ilir Muka, ku gjeti vdekjen 35 vjeçari nga Himara, Aristotel Guma.

i.t/NOA

VIDEOT: Reagimet politike:

{youtube}uLvWFPMv5N0{/youtube}

Pamje nga varrimi i Gumës

{youtube}sZqGswmDSWg{/youtube}

Reagon Ministria e Brendshme

{youtube}Xvxmf-7dwTY{/youtube}

KOMENTE