Tiranë, 15 gusht, NOA – Shtimi i efektivave të policisë në rrugët e vendit, përmirësimi i sinjalistikës rrugore, riparimi i rrugëve dhe përgatitja e një plan veprimi gjatë sezonit veror janë masat që qeveria duhet të kishte marrë për të përballuar numrin e madh të aksidenteve gjatë muajve të fundit.
Ky është vlerësimi kritik që ka bërë sot Partia Socialiste në lidhje me rritjen e numrit të aksidenteve. Deputetja e PS-së, Olta Xhaçka ka akuzuar për këtë gjë strukturat e shtetit dhe mungesën e profesionalizmit nga Ministria Brendshme.
Xhaçka u është përgjigjur dhe akuzave të bëra dje nga Ministria e Brendshme duke kërkuar që ministri Basha të dal në terren për të parë situatën, e cila për PS-së është e ngjashme me një bilanc lufte.
“I bëjmë thirrje Z. Basha të dalë menjëherë në terren për të analizuar e mbikëqyrur masat që po merren për të kufizuar bilancin tragjik në rrugë, për të kursyer humbjen e jetëve te bashkëqytetarëve tanë e për të mos ia nxire vendit imazhin siç kemi bere deri me sot.
Xhaçka u është referuar të dhënave të policisë dhe ka përmendur se gjatë muajit korrik ka 151 aksidente dhe kanë humbur jetën 51 persona. “Një në çdo tre aksidente në Shqipëri rezulton me humbje jete apo plagosje të rëndë. Ky bilanc mbetet tragjik pavarësisht numrit të gjobave apo efektivave në detyrë. Një bilanc i humbjes se jetës në rrugët e vendit që i përngjan një bilanci lufte”, u shpreh Xhaçka.
NOA