English

Hidrocentarli i Zhurit, Prifti: Do të bëhet ajo që dikton interesi kombëtar

Tiranë, 16 gusht, NOA – Pas informacioneve të publikuara për ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit në Kosovë, në kufi me Shqipërinë, një hidrocentral që sipas ekspertëve nuk duhet të lejohet pasi shkatërron florën dhe faunën përreth por edhe devijon lumenjtë që kalojnë nëpër Shqipëri, ministri i Ekonomisë Dritan Prifti pohoi në një konferencë për shtyp se qeveria shqiptare është duke negociuar me qeverinë e Kosovës.

Ministri Prifti theksoi se për këtë projekt të nisur nga qeveria e Kosovës, është krijuar një grup i përbashkët ndërqeveritar, me përfaqësues të dy qeverive, për të diskutuar në lidhje me vazhdimësinë e projektit të hidrocentralit të Zhurit, i cili do të ndërtohet në Kosovë.

“E vërteta është se, në qoftë se ai hidrocentral ndërtohet në Kosovë, në pjesën e kufirit të Republikës së Shqipërisë dëmtohen rreth 18 konçensione të dhëna në vazhdimësinë e bazelit ujor”, deklaroi ministri Prifti.

Ai garantoi se qeveria do të mbrojë konçensionet e dhëna dhe investimet e bëra në kufirin e Republikës së Shqipërisë.

Në këtë kontekst, zoti Prifti, citoi edhe kryeministrin Berisha, që deklaroi lidhur me çështjen e hidrocentralit të Zhurit, se do të bëhet ajo, që do të diktojë interesi kombëtar.

“Të dy qeveritë do të diskutojnë se cili është varianti më i mirë për ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit. Për hir të së vërtetës, ekziston një variant, i cili lejon një rrjedhje ekologjike, një rrjedhje të caktuar në atë bazel ujor, që të mos dëmtohen hidrocentralet që janë në Shqipëri, por edhe që hidrocentrali i Zhurit të ndërtohet me një kapacitet pak më të kufizuar”, theksoi ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.

Sipas ministrit Prifti negociatat mes dy qeverive do të dalin së shpejti me një përfundim, për mënyrën e ndërtimit të hidrocentralit të Zhurit.

mit/NOA
KOMENTE