Tiranë, 16 Gusht 2010 NOA - Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar sot një letër ngushëllimi Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës, zotit Wen Jibao për përmbytjet në veri perëndim të Kinës, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën qindra persona, si dhe janë shkaktuar dëme të tjera njerëzore e materiale.
Në letrën e dërguar, Kryeministri Berisha shprehet:
“I nderuar Zoti Kryeministër,
Me keqardhje të thellë mësova për fatkeqësitë natyrore, të shkaktuara nga përmbytjet dhe shirat e dendura në kantonin Zhouqu, të provincës Gansu, në veri perëndim të vendit Tuaj, si pasojë e të cilave kanë humbur jetën qindra persona, si dhe janë shkaktuar dëme të tjera njerëzore e materiale.
Më lejoni që, në këto çaste dhimbjeje, t’ju shpreh në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave.
Shqiptarët ndajnë me Ju, qeverinë dhe popullin mik kinez hidhërimin për humbjen e jetëve njerëzore, ndaj, edhe në emër të tyre, më lejoni t’Ju ripohoj ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor”, - përfundon letra.
a.r/NOA