Shkup 16 gusht, NOA - Ministri maqedonas i Arsimit, Nikolla Todorov ka vendosur të korrigjojë gabimin, duke thirrur në një takim ekipin e hartuesve të librit “Shoqëria” për ndreqjen e tij, dhe përditësimin e të dhënave historike të reja lidhur me ndryshimin e statusit dhe flamurin e Kosovës, apo tërheqjen e librit krejtësisht nga qarkullimi dhe hartimin e një të libri të ri.
Ky reagim erdhi pas ankesave të shumta të shqiptarëve të Maqedonisë, se në librin e klasës së pestë, injorohet kultura dhe arti shqiptar në Maqedoni, por edhe nuk përfillen ndryshimet e statusit dhe flamurit në Kosovë.
Në pritje të vendimit që do të merret, libri është ndaluar në pikat shpërndarëse.
Sipas shqiptarëve, ankesat erdhën për trajtimin që i është bërë hartës së Kosovës, statusit të saj si dhe flamurit të ri të Kosovës.
Por, ankesa nga shqiptarët e Maqedonisë ka edhe për mungesën e hapësirës për kulturën dhe artin e shqiptarëve në Maqedoni, pasi në faqet ku flitet për kulturën e shtetit nuk përmenden emra artistësh, shkrimtarësh, piktorësh shqiptarë të Maqedonisë, duke iu referuar faktit se nga libri do të mësojnë edhe nxënësit shqiptarë.
Ende në faqet e librit “Shoqëria” Kosova mësohet si pjesë e Serbisë, përkatësisht si “krahina autonome e Kosovës dhe Serbia" dhe në hartë figuron ende si territoriale e Serbisë.
Edhe flamuri i Kosovës në këtë libër shkollor nuk është me gjashtë yje, por pesë dhe ata krijojnë një rreth, e jo gjysmë hark siç është flamuri i Kosovës.
Më parë për shkak të këtyre gabimeve partia “Demokracia e Re” kërkoi dorëheqjen e zëvendësministres së Arsimit, Lindita Qazimi.
Sipas mediave ky është ky gabimi i dytë i ministrit Todorov, pas atij të parë, që kishte të bënte me vendimin për mësimin e gjuhës maqedonase për shtetasit jo-maqedonas, që nga klasa e parë fillore, vendim ky i refuzuar nga Gjykata Kushtetuese.
mit/NOA