English

Prifti: Sulmet për pasurinë time nga dy gazeta me pronarë ndërtues, klientë të Edi Ramës

Tiranë, 16 gusht, NOA – Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti i ka dhënë përgjigje sot akuzave të selisë rozë ndaj pasurisë së tij, duke i cilësuar e lidershipit të PS-së, Edi Rama, për përfitimin në mënyrë korruptive të 1.8 milionëve dollarë brenda një viti, si sulme dashakeqe, që bëhen vetëm nga dy gazeta, pronarët e të cilëve janë ndërtues, klientë të Edi Ramës.

“Është e vërtetë, janë vetëm dy gazeta që vazhdojnë refrenin e mëparshëm të gazetës Zëri i Popullit apo të Edi Ramës në lidhje me pasurinë time”, tha zoti Prifti.

Ministri prifti deklaroi ndërkaq se “Janë vetëm dy gazeta me pronarë ndërtues. Të dyja ato kanë pronarë ndërtues, klientë të zotit Rama, pronarë të cilët kanë marrë leje ndërtimi nga zoti Rama dhe vazhdojnë të njëjtin refren siç vazhdon dhe gazeta e Partisë Socialiste”.

Sipas ministrit Prifti, nëpërmjet një letre me shkrim nga Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, ky i fundit ka nisur analizimin e deklarimeve të Priftit sa i përket pasurisë.

“Pra, janë duke bërë investigimin dhe analizën e tyre dhe unë mendoj, që çdo njeri që respekton shtetin ligjor dhe ligjet e vendit të vet duhet të presë institucionet e shtetit për të dhënë përgjigje për këtë”, nënvizoi ministri.

Ai rishtas shprehu se nuk ndjehet shqetësuar për shpifjet dhe historitë e trilluara nëpër gazetat e ndërtuesve, aq më tepër nga ata që i shërbejnë Edi Ramës.

mit/NOA

KOMENTE