English

PS: Prifti, asnjë shpjegim për 1,8 milion eurot e pasurisë së tij

Tiranë, 16 gusht, NOA – Pas akuzave me fakte të reja të përditësuara ndaj ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, selia rozë i ka bërë thirrje ministrit të japë llogari për pasurimin e tij në mënyrë korruptive.

Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, deklaroi sot se “Ministri i Ekonomisë nuk mund të bëjë sikur asgjë s’ka ndodhur dhe të dalë e të flasë për ekonominë, në një kohë kur ende nuk ka dhënë asnjë shpjegim për 1,8 milion eurot e pasurisë së tij”.

Imeraj ka këmbëngulur se pasuria prej 1.8mln eurosh të vëna në mënyrë korruptive gjatë një viti, në abuzim të hapur me detyrën, duhet ta bënte ministrin të përgjegjshëm ndaj qytetarëve, pasi ndërsa ministri pasurohej me 2 miliard e gjysmë lekë, shqiptarët varfërohen.

Madje, zonja Imeraj ka kërkuar nga ministri të prononcohet edhe për mënyrën e përfitimit të koncesioneve të naftës nga deputetja e PD-së, Albana Vokshi.

“Meqë dëgjuam ministrin të fliste për koncesione hecesh, a mund të na thotë Dritan Prifti se si i përfitoi kolegia e tij Albana Vokshi koncesionet e heceve dhe naftës me vlerë rreth 4 miliard dollarë”, ka bërë me dije zëdhënësja e PS-së, Imeraj, që e përfundoi këtë deklaratë për mediat me fjalinë “Përpara se të dalë përpara shqiptarëve e të flasë në tym, Dritan Prifti të japë shpjegime para shqiptarëve”.

mit/NOA
KOMENTE