Beograd, 16 gusht, NOA – Politikanë dhe qytetarë serbë të prekur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë për heqjen e pagave të dyfishta për serbët e Kosovës, kanë shprehur pakënaqësi për këtë vendim, që u heq atyre 50 përqind të pagës, që u është paguar serbëve për shtatë vjet me radhë.
Sipas politikanëve serbë ky vendim do të ndihmojë në largimin e kuadrove dhe qytetarëve të këtij komuniteti nga Kosova, gjë që nuk i shërben as politikës së Serbisë ndaj Kosovës.
Këtë mendim e ka lideri i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviç, i cili tha se heqja e fondit shtesë për Kosovën ka ardhur si rrjedhojë e presioneve të Uashingtonit dhe Brukselit mbi Qeverinë e Serbisë.
Milan Ivanoviç është shprehur për mediat beogradase se “Ky vendim do të ketë si pasojë largimin e kuadrove nga Kosova, si psh, të mjekëve, profesorëve, duke pasuar me vazhdimin e spastrimit etnik të serbëve nga Kosova”.
Por, ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, theksoi se me këtë vendim nuk do të ndryshohet asgjë e rëndësishme në përpjekjet e Serbisë për të vazhduar luftën për ruajtjen e Kosovës, si pjesë të territorit të vet.
Këtë ide ka përkrahur edhe sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, i cili tha sakaq se “vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të injorohet, por nuk mund të injorohet as fakti, që serbët në Kosovë jetojnë në kushte të rënda ekonomike dhe nuk kanë kushte të njëjta pune me ata në Serbi.
Sipas të dhënave mbi 45 mijë punëtorë serbë në Kosovë, të angazhuar kryesisht me punë nëpër shkolla, spitale e organet e administratës paralele, për shtatë vjet kanë pranuar paga dhe shtesa nga fondi i Serbisë për Kosovën.
Andaj vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, sipas zyrtarëve serbë është bërë për të vendosur në të njëjtin nivel pagat e punëtorëve serbë në Kosovë me ata në Serbi.
mit/NOA