Vlorë, 16 gusht, NOA Update – Lidhur me vrasjen përmes një aksidenti të qëllimshëm, ku gjeti vdekjen 35 vjeçari nga Himara, Aristotel Guma, Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e arrestit burg pa afat për autorin e vrasjes, 20 vjeçarin Ilir Muka, i cili u vetëdorëzua mbrëmë në policinë e Vlorës, pasi u gjet nga familjarët e tij i dehidratuar dhe në kushte të mjerueshme psikike në një zonë pranë Himarës.
Pas masës së sigurisë për autorin e vrasjes, Ilir Muka, gjykata e Vlorës ka dhënë masën e arrestit me burg edhe për shtatë të arrestuarit e tjerë, të cilët përkrahën drejtuesin e automjetit, Ilir Muka në realizimin e krimit.
Gjykata ka dhënë masën e arrestit me burg për Andi Salataj, me 20 ditë burg u dënuan Aleksandër Gjika, Bledar Meminaj dhe Andi Kotorri.
Ndërsa me 15 ditë burg u dha masa e sigurise per Juxhin Mustafaj.
Fatjon Jahaj dhe Joni Bushi ndaj te cileve u vendos nga një milion lekë garanci.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e të enjtes, kur viktima Aristotel Guma po udhëtonte me motorrin e tij, dhe përplaset për vdekje nga makina tip audi më targa angleze, e drejtuar nga Ilir Muka.
Himarioti gjeti vdekjen e menjëhershme pas goditjes fatale, ndërsa drejtuesi i automjetit Ilir Muka u arratis duke e lënë automjetin e krimit në vendngjarje.
Gjatë ceremonisë mortore të Aristotel Gumës himariotët bllokuan krejt aksin rrugor Vlorë-Sarandë, qysh natën e aksidentit deri në mesditën e të premtes, në shenjë proteste ndaj aksidentit të qëllimshëm që i mori jetën një bashkëhimarioti.
Ngjarja u përfol menjëherë se kishte lidhje me motive etnike, pasi viktima Aristotel Guma ishte përkrahës i idesë se “Himara është Greqi”, një ide të cilën e bëri pjesë të një debati plot kundërshti me disa të rinj kosovarë, vetëm një ditë para aksidentit.
Por megjithëse policia ende nuk ka zbardhur motivet e vërteta të aksidentit, ngjarja u reklamua si nga përfaqësues të minoritetit grek në Shqipëri si ngjarje me motive etnike.
Madje këtë herë, ndryshe nga rastet e tjera, është prononcuar me një deklaratë edhe kryepeshkopi Janullatos, i cili dënoi ngjarjen duke kërkuar dënimin e autorëve.
Madje edhe mediat vendase dhe ato përtej kufirit, në Greqi e cilësuan këtë rast si një rast me motive etnike.
Gjithësesi pritet që ngjarja të zbardhet plotësisht policia.
mit/NOA