English

Ahmetaj: Qeveria po favorizon monopolet dhe rritjen e çmimeve

Tiranë, 17 gusht, NOA – Partia Socialiste ka akuzuar qeverinë si të paaftë për të kontrolluar rritjen e çmimit. Deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj është shprehur se qeveria po favorizon monopolet në tregon ekonomik.

“Kriza ekonomike ka shtyrë mijëra familje në kufijtë e mbijetesës. Pushteti refuzon të njohë krizën. Pushteti favorizon monopolet. Pushteti favorizon rritjen e çmimeve të mallrave bazikë”, u shpreh Ahmetaj.

Ai ka theksuar se pushteti vazhdon të rëndojë shqiptarët dhe se rrënimi i buxheteve familjare është një dhuratë e këtij pushteti.

“Rimëkëmbja e ekonomive familjare do të kërkojë kohë, angazhim serioz dhe politika në favor të qytetarëve. Gjë që ky pushtet nuk e bën dot”, u shpreh Ahmeti.

Në deklaratat e bëra për mediat, Ahmeti u shpreh se megjithë rritjen e çmimeve, qeveria vazhdon t'i rrisë taksat në kurriz të qytetarëve.

“Çmimi i bukës është rritur me 10 lekë sepse qeveria e lejon monopolin. Çmimi i ujit të pijshëm është rritur me 300 lekë në muaj mesatarisht, ndërsa pushteti nuk arrin të furnizojë me ujë. Çmimi i vajit është rritur me 20 lekë litri sepse një muaj më parë qeveria rriti taksën. Çmimi i energjisë elektrike është rritur 3 mijë lekë për çdo faturë, dhe qeveria ka planifikuar të njëjtën rritje në fund të këtij viti”, tha Ahmetaj.

Nga ana tjetër ai tha se qeveria nuk ka shpenzuar as edhe një qindarkë për të ndihmuar familjet në nevojë me pagesat e energjisë, “siç kishte premtuar që në Janar të këtij viti”.

Ndërsa shtoi se “vetëm nga rritja e taksës së ambalazheve të disa artikujve ushqimorë, qeveria do tu fusi duart në xhepa për t’ju marrë 80 milion dollarë”.

NOA

KOMENTE