English

Drejtori i Policisë Rrugore: Kemi pezulluar 1784 patenta dhe bllokuar 2017 makina

Tiranë, 17 gusht, NOA – Shtimi i numrit të aksidenteve që bërë që të merren më shumë masa ndaj drejtuesve të mjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit. Vullnet Topalli, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Rrugore u shpreh sot se janë marrë një sërë masash për të shmangur aksidentet.

Ai u shpreh se “1784 leje drejtimi janë pezulluar në korrik 2010, kundrejt 739 leje drejtimi të pezulluara në korrik 2009, pra 1045 më shumë. 2017 automjete janë bllokuar në korrik 2010, kundrejt 810 automjete të bllokuara në korrik 2009, pra afro 1207 më shumë”.

Ai ka theksuar se gjatë muajit korrik kanë ndodhur 36 aksidente me pasojë humbje jete, ndërsa në korrik të vitit 2009 kanë ndodhur 42 të tilla.

Topalli u shpreh se ulja e numrit të aksidenteve ka ardhur si pasojë e riorganizimit të Policisë Rrugore në drejtori më vete dhe struktura të varësisë

Kjo gjë sipas tij ka ka përmirësuar kontrollin dhe ka lehtësuar qarkullimin e automjeteve, si dhe “ka sjellë menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore si dhe ka rezultuar efikas si në parandalimin e aksidenteve, ashtu edhe në ndëshkimin e kundravajtjeve nga drejtuesit e automjeteve”.

Topalli është shprehur se falë punës së bërë është krijuar mundësin e përballimit me sukses të fluksit të sezonit turistik.

“Drejtoria e Policisë Rrugore i ka kushtuar një rëndësi të veçantë zbatimit rigoroz të masave ndëshkuese ndaj kundravajtjeve dhe shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.

60.000 masa administrative(gjoba) janë vendosur në korrik 2010 kundrejt 50.955 në korrikun e kaluar, pra 9045 masa më shumë”, u shpreh Topalli.

Drejtori i Policisë Rrugore u ka bërë apel të gjithë drejtuesve të automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, “të dëshmojnë qytetari në përdorimin e rrugës, të respektojnë punonjësit e policisë rrugore dhe të bashkëpunojnë me ta”.

NOA

KOMENTE