English

Krimi i Mukës dhe dyshja Dule-Bollano

Me këto mosveprime organi i akuzës shqiptare është sjellë si ndonjë shoqatë që "u trembet" prishjes së fqinjësisë me grekët. Dhe nga ana tjetër me mosveprimin e saj institucionet e drejtësisë po i përbalin qytetarët e të dyja etnive të infektuara nga tam- tamet e bollanove

Nga Roland Beqiraj*

Një politikan i njohur i Evropës lindore post komuniste është shprehur se në politikë nuk ka faje, por krime. Dhe Ballkani i njeh ndoshta më mirë se çdo vend tjetër fajet e politikës, të shoqëruara me krime.

Nacionalizmat në ish jugosllavi para shpërthimit të tij në luftë frontale është shoqëruar me ngjarje që në pamje të parë ishin sporadike, por që shfrytëzoheshin nga politika dhe shërbenin si katalizator për ngjarje që përsëriteshin herë pas here.

Dhe pas katastrofës që numëroi me mijëra të vdekur dhe të shpërngulur, u konstatua se nga të gjitha palët askush nuk fitoi përveç politikës, kurse të gjithë të tjerët të përfshirë në konflikt ishin viktima, qofshin këta edhe heronj apo dëshmorë në vendet respektive.

Të gjitha këto më erdhën vetëtimthi në mendje, teksa dëgjoja bujën që pësoi aksidenti vrasës në Himarë dhe politizimi që iu bë kësaj ngjarje,edhe pa këtë ishte kriminale. Tek publiku ngjarja erdhi e copëzuar sipas interesit të palëve që u përfshinë në këtë histori. Një javë pas kësaj ngjarje i vetmi zë që mungon është ai i organeve kompetente, të cilat edhe pas hetimeve paraprake me dëshmitarë të mjaftueshëm i duhej të dilte në një prononcim publik.

Dhe pa një prononcim të tillë, ata më skeptikët, të mësuar me shashka të këtij lloji, e marrin me mend se ajo që ndodhi në Himarë ishte një zënkë e disa djemve kokëtrashë dhe kokorroçë.

Kurse ajo që u komentua pas tyre një keqpërdorim dinak dhe keqdashës të qarqeve të errëta nacionaliste greke. Këto qarqe nuk bënë asgjë më shumë, veçse i viktimizuan të dyja palët e përfshira në këtë zënkë kriminale.

Pra si A.Guma dhe I.Muka bashkë me shokët e tij, pa më të voglin dyshim janë viktima të politikës së ksenofobisë greke, që në Shqipëri përfaqësohen nga dyshja Bollano – Dule. Është kjo dyshe e cila për një kohë të gjatë ka krijuar një barrierë, e cila nuk ekzistonte më parë midis dy etniteteve. Janë këta që për të zgjeruar hartën e minoritetit grek në Shqipëri stisin lloj-lloj historish dhe instumentalizojnë gjithfarë lloj ngjarjesh.

Dhe natyrisht pas këtyre “gic-miceve”, ka edhe nga ata që u merr koka tym dhe në një ngjarje banale e shajnë njëri-tjetrin nga raca. Dhe nuk është e lehtë tu marri njerëzve të thjeshtë “koka erë” nga provokimet e Bollanos dhe Dules, siç ishin disa herë radhazi në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale, varret e ushtarëve grekë të Kosinës, apo heqja e tabelave të qarkullimit rrugor në gjuhën shqipe përgjatë aksit rrugor Vlorë – Kakavijë dhe zëvendësimi i tyre me tabela në gjuhën greke.

A mund të quhet i justifikueshëm ndalimi i Bollanos i cili nuk lejon shqiptarët të marrin pronat e tyre dhe të ndërtojnë në Himarë? Dhe për të gjitha këto shkelje të rënda kushtetuese, si dhe thirrjeve të hapura antishqiptare të dyshes Dule - Bollano dhe bollanove të tjerë, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka nisur asnjëherë hetim.

Me këto mosveprime organi i akuzës shqiptare është sjellë si ndonjë shoqatë që "u trembet" prishjes së fqinjësisë me grekët. Dhe nga ana tjetër me mosveprimin e saj institucionet e drejtësisë po i përbaltin qytetarët e të dyja etnive të infektuara nga tam- tamet e bollanove.

Dhe është Kryebashkiaku i Himarës Vasil Bollano, i cili i kërkon “avokates” së tij, Prokurores së Republikës Ina Rama të kryqëzojë 20 vjeçarin I.Muka. Por ndërsa makina tip “Audi” e Ilir Mukës për çfarëdolloj arsyeje vrau minoritarin grek të Himarës, Aleksandros Guma, është vetëm një krim ordiner që sipas kodit penal shqiptar parashikohen dënime tepër të rënda. Dhe me vetëdorëzimin e tij Muka do të gjykohet nga gjykata shqiptare.

Kurse krimet e Vasil Bollanos dhe Vangjel Dules, që janë krime kushtetuese, nuk ka asnjë akuzë zyrtare, ndërsa rrezikshmëria e tyre nuk mund të ketë të krahasuar me ato të Mukës.

(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale dhe nuk paraqesin vijën editoriale të NOA

KOMENTE