English

LSI: Nuk ka më kohë për të humbur, forcat politike të ulen për reformën zgjedhore

Tiranë, 17 gusht, NOA – Ndërsa zgjedhjet vendore po afrojnë, Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar rishtas nga forcat politike të mos humbin më kohë, por të ulen në tryezë për të diskutuar mbi reformën zgjedhore.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi në një konferencë për shtyp se “Sot e gjithë politika ka konsumuar me qindra deklarata, ka shpërthyer me një pathos të jashtëzakonshëm për nevojën e standardeve gjithmonë e më të mira zgjedhore, por ai që është momenti kruçial, që demonstron vullnetet e mira e që ka të bëjë me arritjen e këtyre standardeve dhe që është reforma zgjedhore, këtij impenjimi konstatojmë, që po i shmangen në mënyra të ndryshme”.

“Besojmë se sezoni i ri politik, i cili normalisht starton në shtator, duhet të ketë si kryefjalë të tij, nisjen e punës intensive për një reformë zgjedhore sa më të mirë duke nisur punën me sugjerimet, që kanë ardhur nga ndërkombëtarët OSBE-ODIHR-i dhe faktorë të tjerë, që sigurojnë parametra të tjerë të zgjedhjeve në Shqipëri”, theksoi zoti Vasili.

Ai nënvizoi se “tashmë nuk ka më kohë për të humbur, porse të gjitha partitë duhet të ulen në tavolinën e bisedimeve të thella dhe reflektimeve dhe çdo klithmë demagogjike për përmirësim zgjedhjesh pa përmirësuar ligjin zgjedhor dhe pa reflektuar rekomandimet e ndërkombëtarëve dhe çdo gjë, që nuk ka shkuar mirë në zgjedhje besojmë se mbeten vetëm klithma demagogjike, që nuk kanë të bëjmë me thelbin apo me shqetësimin për të pasur zgjedhje më të mira në Shqipëri”.

Në përfundim, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, tha se “LSI e ka shumë të qartë se cilat do të ishin përmirësimet e ndryshme, që mund t’i bëhen kodit zgjedhor, të cilat nuk lëvizin thelbin e tij”.

Sipas Vasilit LSI ka të gjithë grupin e ekspertëve të domosdoshëm për t’i ofruar ndryshimet përmirësuese në Kodin Zgjedhor, duke theksuar se tashmë duhet vetëm vullneti politik për ta parë me seriozitet këtë problem.

mit/NOA
KOMENTE