English

Meta letër Lavrov: Ndjek me shqetësim të madh situatën e zjarreve në Federatën Ruse

Tiranë, 17 gusht, NOA – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta i ka nisur një letër Ministrit të Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, Sergei Lavrov, ku i shpreh shqetësimin për pasojat e zjarreve si dhe solidaritetin e Shqipërisë me të gjitha familjet e viktimave dhe me të gjithë popullin rus në këto momente të vështira.

Ministri Meta shkruan shprehimisht në letër se “Me shqetësim të madh jam duke ndjekur situatën më të fundit në Federatën Ruse lidhur me zjarret, që kanë përfshirë vendin tuaj dhe pasojat që po lë një fatkeqësi e tillë natyrore”.

Zoti Meta i ka shprehur solidaritetin e tij me të gjitha familjet e viktimave të zjarreve dhe të atyre, që kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave të larta, si dhe me gjithë popullin rus për përballimin e një situate të tillë.

“Duke shpresuar në normalizimin dhe përmirësimin sa më të shpejtë të gjendjes, më lejoni Shkëlqesi, t’Ju shpreh sigurimet e konsideratës sime më të lartë”, përfundon letrën drejtuar homologut rus, Lavrov, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.

mit/NOA

KOMENTE