English

Në 100 vjetorin e Nënë Terezës, një projekt për park kombëtar në Cleveland të Ohios

Tiranë, 17 gusht, NOA – Në qytetin Cleveland të Ohios në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të çelet një Park Kombëtar shqiptar, që do të mbajë emrin e shenjtores shqiptare, Nënë tereza.

Projektin në fjalë e prezantoi në një takim me kryeministrin Sali Berisha, kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Cleveland të Ohio-s, Adem Meta.

Parku do të jetë në formën e një amfiteatri, i cili në qendër do të ketë shtatoren e Nënë Terezës.

Kreu i shoqatës shqiptaro-amerikane, ka shprehur rëndësinë që ka hapja e këtij parku, duke theksuar se në Ohio jetojnë 120 komunitete të ndryshme nga mbarë bota dhe vetëm 35 prej tyre kanë fituar të drejtën për të pasur Parkun e tyre Kombëtar, midis të cilëve edhe ai shqiptar.

Në këtë park, tha ai, do të vendosen edhe figura të tjera të shquara kulturore të kombit tonë.

Kryeministri Berisha e përgëzoi zotin Meta dhe shoqatën e përfaqësuar prej tij, për këtë iniciativë dhe u shpreh se qeveria do të japë kontributin e saj në realizimin e këtij projekti.

Kryeministri theksoi se “është edhe më domethënës fakti, që kjo iniciativë ndërmerret në 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, këtij simboli të shquar të shqiptarëve të të gjitha kohërave”.

mit/NOA

KOMENTE