Tiranë, 17 gusht, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi Presidentit të Republikës së Italisë, Xhorxho Napolitano, pak orë pas ndarjes nga jeta të ish Presidentit italian, Françesko Kosiga, nga një atak kardiak.
Presidenti shqiptar i shkruan në mesazhin e tij të hidhërimit, se “I nderuar zoti President, me hidhërim mësuam lajmin e ndërrimit jetë të Presidentit Françesko Kosiga”.
“Ndarja nga jeta e Presidentit Kosiga është një humbje për familjen dhe të afërmit, kolegët dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij”, shkruan Presidenti Topi.
Në vlerësimin e Presidentit shqiptar, thuhet shprehimisht në mesazh, se “Presidenti Kosiga, gjatë ushtrimit të mandatit të tij presidencial, dëshmoi vlera dhe devotshmëri ndaj shtetit dhe popullit italian, duke dhënë kështu një kontribut të pazëvendësueshëm në jetën politike të Republikës Italiane”.
Presidenti Topi, si një nga ish studentët shqiptarë të diplomuar në Itali, thekson më tej se “Ne shqiptarët, veçanërisht për shkak të miqësisë së fortë dhe lidhjes shpirtërore historike me popullin italian, e përjetojmë këtë çast me dhimbje”.
“Më lejoni që, në këto momente, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal t’ju shpreh ngushëllimet më të thella e të sinqerta njerëzore!”, - përmbyllet mesazhi i Presidentit Topi.
Ish presidenti italian, Françesko Kosiga ndërroi jetë sot rreth orës 13.48 minuta, në moshën 82 vjeçare.
Ish Presidenti i Italisë dhe ish-kryeministri Kosiga, njihet si një ndër politikanët më me emër të Italisë, në tri dekadat e fundit.
Më parë avokat, mandej si politikan, Françesko Kosiga ishte presidenti i tetë i Italisë dhe e mbajti këtë detyrë gjatë viteve 1985-1992.
Ai ka qenë ministër i Brendshëm në qeverinë e Andreotit në vitin 1976, kohë në të cilën dha dorëheqjen pas vrasjes së Aldo Moros.
mit/NOA