Strugë, (Maqedoni), 18 gusht, NOA - Ambasadori i OSBE-së në Shkup, Jose Luis Herrero, u takua në Strugë me anëtarët e Komisionit për Marrëdhënie Ndëretnike, të kryesuar nga Agim Dauti.
Pas një bisede të gjatë dhe informimit të ndërsjellë, Ambasadori Herrero dhe Agim Dauti, para gazetarëve dhanë vlerësimet lidhur me bashkëbisedimin e tyre.
Jose Luis Herrero, mes të tjerash theksoi se kanë shqyrtuar shumë aspekte t karakteristikave multietnike dhe multikulturore të Strugës.
Duke rikujtuar ngjarjet e incidenteve në shkollat e mesme dhe mësimin në turne etnike, Herrero ishte edhe kësaj here i prerë: “Viti shkollor duhet të fillojë me turne të përziera e jo me turne etnike dhe pa probleme. Ne do të inkurajojmë të gjithë ata që përpiqen për këtë mënyrë të zhvillimit të procesit mësimor. Shkollat duhet të punojnë në ambiente të përbashkëta”,theksoi Herrero.
I pyetur se cilat ishin shkaqet që shkaktuan incidentet gjatë periudhës së kaluar në shkollat e mesme në Strugë, Ambasadori Jose Luis Herrero u shpreh: “ Unë nuk jam këtu për të dhënë vlerësime të tilla, por për të ndihmuar në tejkalimin e problemeve ndëretnike në shkolla dhe gjithkund në Strugë e më gjerë. Angazhimi më i theksuar duhet të jetë edhe nga institucionet komunale etj” përfundoi Herrero.
Agim Dauti, kryetar i Komisionit për marrëdhënie ndëretnike në Strugë, mes tjerash theksoi: “E informuam ambasadorin Herrero për të gjitha të ngjarat në Strugë, përfshirë edhe ndasitë e theksuara nga ana e maqedonasve. Si shembull ia parashtruam se lokalet hotelierike maqedonase vizitohen edhe nga shqiptarët, ndërsa në asnjë lokal shqiptar nuk frekuentojnë asnjë maqedonas.
Është ky një nga shqetësimet që i parashtruam, që pasqyron gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike në Strugë”, tha Agim Dauti.
Në vazhdim ai ripërsëriti se Komisioni për marrëdhënie ndëretnike këtë vit nuk ka mbajtur asnjë takim për shkak të ndërprerjes së financimit të Komisionit, me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë.
NOA/INA