Shkup, 18 gusht, NOA - Armata e Republikës së Maqedonisë sot shënon 18 vjetorin e themelimit të saj. Por dhe pse ka kaluar nje kohe e tille kaq e gjate, shqiptarët vazhdojnë të jenë të papërfaqësuar në institucionet e mbrojtjes dhe se shifrat janë tejet minimale, duke mos përmbushur detyrimet që dalin nga Marrëveshja e Ohrit.
Në nivel të Ministrisë së Mbrojtjes, hierarkia e lartë e këtij dikasteri udhëhiqet nga ministri maqedonas, zëvendësministri maqedonas si dhe sekretari shtetëror maqedonas, të gjithë kuadro të partisë VMRO-DPMNE.
Kuadrot shqiptarë nuk janë në detyra udhëheqëse në tre drejtoritë e kësaj ministrie, ndërsa nga 11 këshilltarët shtetërorë asnjë prej tyre nuk është shqiptar.
Përfaqësimi i dobët është edhe në kuadër të Armatës së Republikës së Maqedonisë. Në nivel të shtabit të përgjithshëm vetëm zëvendës-shefi i shtabit të përgjithshëm të ARM-së është Naser Sejdini, kuadër shqiptar.
Drejtori i shtatmadhorisë dhe kryeshefat e 9 seksioneve në Qendrën e Bashkuar Operative që të gjithë janë maqedonas, asnjëri nga komandantët, zv.komandantet dhe kryeshefat e shtabeve të 3 brigadave të ARM-së nuk është shqiptar, në 20 batalijone vetëm 1 komandant është shqiptar, nga 35 kuadro ushtarakë që gjenden në shkollim jashtë vendit për gjeneralë, asnjëri nuk është shqiptar, nga 40 kadetët të regjistruar në vit të parë në Akademinë Ushtarake në Shkup vetëm 6 janë shqiptarë, etj.
Një mungesë e përfaqësimit është edhe në nivele të tjera më të ulëta të sektorëve.
Ish-zëvendësministri i mbrojtjes, Iljaz Halimi thekson se këto shifra janë alarmante dhe tregojnë mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në sistemin e mbrojtjes.
Sipas tij, në bazë të përqindjes së përfaqësimit, shqiptarët mund të arrijnë rreth 10 për qind të përfaqësuar, mirëpo këtë përqindje e rrit prania e ushtarëve të paguar dhe nënoficerëve në ARM.
Ndërsa në nivel të Ministrisë së Mbrojtjes, kuadrot shqiptare pranë këtij dikasteri bëjnë të ditur se shqiptarët janë të përfaqësuar aktualisht vetëm me rreth 3 për qind, pa përfshirë ARM.
Nga ana tjetër, deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi, i cili gjithashtu ka qenë në detyrën e zëvendësministrit të mbrojtjes kohë më parë ka theksuar se shqiptarët në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatë janë 18,22 për qind apo 1552 të punësuar.
Ai në këtë shifër ka përfshirë ushtarët e paguar dhe nënoficerët që janë në kuadër të ARM-së dhe që rrisin shifrën totale të përfaqësimit.
ARM-ja sot ka shënuar 18 vjetorin e themelimit të saj, me një ceremoni ushtarake dhe manifestime të tjera.
NOA/INA