Tiranë, 18 gusht, NOA – Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar nga ministrat sot në mbledhjen e qeverisë që në buxhetet e institucioneve të tyre t’i kushtojnë prioritet zhvillimit te metejshem te turizmit.
Ai ka kërkuar që secila ministri të fuqizojë zhvillimin e kapaciteteve turistike të vendit në zonat turistike dhe parqet arkeologjike.
Shefi i Qeverisë u shpreh se duhet të investohet që vizitorët të kenë mundësi që t’i gjejnë sa më lehtë zonat turistike dhe të ketë informacion për çdo gjë që ofron vendi ynë.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Berisha është shprehur plot krenari se gjatë këtij viti është regjistruar numri më i madh i vizitorëve nga jashte Shqiperise.
“Resurset buxhetore duhet te orientohen drejt turizmit. Turizmi është bërë një nga degët më kryesore të ekonomisë. Kjo është një histori shumë e shkurtër. Këtë vit, rritja e vizitorëve, krahasuar me vitin 2004 arrin në 12 herë më e lartë. Ky do jetë viti i parë që Shqipëria do të marrë më shumë vizitorë sesa banorë brenda saj” u shpreh kryeministri Berisha.
NOA