English

I lë pasurinë miliona euro maces, luftë mes familjarëve

Milano, 19 Gusht NOA/ Rid Bulku - Dashuria për kafshët tashmë është diçka tepër reale. Por kur në mes është një trashëgimi prej milionash, indiferenca për macen e dashur të babait mund të ndryshojë papritur.

Ka ndodhur në një familje milaneze, në të cilën pasi babai u nda nga jeta, fëmijët u përpoqën në të gjitha mënyrat për t’i sjellë në shtëpi macen që përkohësisht ishte nën kujdesin e padronëve të tjerë.

Ajo çka i bëri të ndryshonin mendim ishte një zbulim i papritur: maces i ishte lënë trashëgimi pasuria e babait.

Duket si një përrallë, por gjithçka ka ndodhur dhe është publikuar nga e përditshmja italiane “Qui”, ku çështja tashmë ka përfunduar dhe në gjykatë.

I moshuari ishte një zotëri i pasur, banues në zonën Porta Venezia në Milano dhe jetonte me pesë mace.

Njëra prej tyre ishte dhe e preferuar e tij me emrin Michele, të cilës i la në trashëgimi një ndërtesë në rrugën Nazionale në Romë.

Para se të ndahej nga jeta, ai ishte në dijeni se fëmijët nuk dëshironin të mbanin kafshët e tij të preferuara dhe për këtë arsye u kishte gjetur një familje tjetër e cila i mirëmbante ato.

Në momentin që fëmijët hapën testamentin u vunë në dijeni të pasurisë së lënë për macen dhe për këtë arsye bënë të pamundurën për ta sjellë në shtëpi duke i thënë familjes që kujdesej se i mungonte shumë.

Por asgjë nuk ndodhi, pasi macja gjendej shumë mirë në familjen e re dhe kjo dashuri e papritur e fëmijëve bëri që fillimisht, presidenti i organizatës që gjeti kujdestarët e rinj të maces, të dyshonte për këtë fakt.

Megjithatë në fund u arrit në një akord, kjo falë dhe mirëkuptimit të familjes që kishte adoptuar Michele.

Kështu, fëmijët u kthyen në pronarët e maces (njëkohësisht dhe pronarë të ndërtesës), por duke i dhënë të drejtën Michele për të jetuar me familjen e saj të re.

Ata gjithashtu hapën një llogari bankare në emër të maces me 250 mijë euro, ku pasi ajo të ndahet nga jeta, paratë do të shkojnë në ndihmë të strehimit të maceve në të gjitha rajonet italiane.

r.b/NOA

KOMENTE