English

Kosovë, konfiskohen në Prishtinë e Gjilan mbi 400 bimë narkotike të kultivuara

Prishtinë, 18 gusht, NOA - Në dy operacione të ndara në fshatin Ponesh të Gjilanit dhe në fshatin Koliq të Prishtinës, Drejtoria policore për hetimin e trafikimit të lëndëve narkotike ka konfiskuar mbi 400 bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa, të llojit Mariuanë.

Burime zyrtare nga policia e Kosovës, thanë për agjencinë NOA se informacionet për kultivimin e bimëve narkotike në fshatin Ponesh të Gjilanit kishin mbërritur përmes një telefonate.

Sektori për luftimin e narkotikëve ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe ka zbuluar se në një arë në fshatin Ponesh ishin mbjellë rreth 230 bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa – Mariuanë.

Pas marrjes së të gjitha procedurave të nevojshme në vendin e ngjarjes të gjitha bimët narkotike janë shkulur nga aty dhe pas përfundimit të proceduarave do të dërgohen për asgjësim.

Gjatësia e bimëve narkotike, arrinte nga 5 deri 20 cm.

Ndërsa operacioni i dytë policor është zhvilluar në një pjesë mali të fshatit Koliq të Prishtinës.

Aty njësitë policore pas një procesi hetimor zbuluan 325 bimë narkotike të dyshuara si Kanabis Sativa.

Prej këtyre bimëve 195 ishin të mbjella në tokë, kurse 130 të tjera u gjetën të mbjella në tasa plastike dhe gjatësia e tyre arrinte 30 cm deri 60 cm.

Pas konsultimeve disa nga bimët e kanabisit janë marrë si mostra për ekzaminim laboratorik kurse të tjerat janë shkatërruar në vendngjarje.

Drejtoria për hetimin e trafikimit të lëndëve narkotike është duke vazhduar proceduarat tjera hetimore për identifikimin e personave të dyshuar për kultivimin e substancave narkotike në tokën e Kosovës

mit/NOA
KOMENTE