English

Kosovë, ministri Rexhepi: Paralajmërimet në Veri, kërcënim dhe provokim

Prishtinë, 18 gusht, NOA – Qeveria e Kosovës i ka quajtur kërcënim dhe provokim të hapur deklaratat e subjekteve serbe në Veri të Kosovës që propagandojnë pavarësimin e këtij territori nga ai amë, Kosova.

Sipas qeverisë këto kërcënime dhe provokime në këtë zonë të Kosovës, janë të yshtura nga politikanë serbë në veri, kur vetëm pak ditë më parë atje shkoi edhe ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, ndërsa dje u ndalua ministry për Kosovën, Goran Bogdanoviç.

Ndërsa kryeministri Thaçi deklaroi se nuk do të lejojë më hyrjen e politikanëve serbë në Veri të Kosovës, Ministri i Punëve të Brendshme, të Kosovës, Bajram Rexhepi deklaroi për mediat se “Qeveria e Kosovës do të reagojë në përshtatje me sjelljet e subjekteve serbe në veri, te cilat kanë paralajmëruar hapa aventureskë, siç është ai për shpalljen e pavarësisë së veriut”.

“Ky është kërcënim dhe provokim”, theksoi ministry Rexhepi, duke sqaruar se “serbët kanë pritur që ne do të reagojmë në mënyrë të pamatur, mirëpo ne e kemi përcjellë nga afër situatën dhe po ashtu edhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar, dhe kemi qenë të gatshëm të veprojmë nëse ndodh një gjë e tillë”, siguroi Rexhepi.

Ky vendim i qeverisë erdhi pas një sërë paralajmërimesh të mbërritura nga serbët në veri të Kosovës, për ndërmarrjen e hapave që do të çonin në autonominë apo edhe pavarësinë e këtij territori.

Në këtë kontekst, dje në Prishtinë, Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, kanë thirrur në një takim edhe përfaqësuesit e vendeve të Quintit, por në fund, nuk rezulton ende ndonjë qëndrim zyrtar pas takimit.

mit/NOA
KOMENTE