Sa është gjallë margjinalizohet, kur të vdesë mund të dekorohet!
Nga Blerim Sh. Shala
1.Skenari i dëshiruar nr.1:
Ka qenë burrë fort i mirë dhe shumë i ndershëm. Trim me fletë dhe sypatrembur. Luftëtar i madh i të drejtave të njeriut. Patriot i madh dhe shqiptar i madh! Njeri i sakrificës, përkushtimit, flijimit, vetmohimit dhe ndërgjegja e popullit të robëruar shqiptar dhe të gjithë popujve të robëruar të botës. Njeriu që ka bërë më së shumti burg në Evropë për fjalën e lirë, liri dhe demokraci. Njeriu që na ka hapur sytë që të qëndrojmë në trojet tona e të mos shpërngulemi për Turqi. Shkrimtari i guximshëm që për leximin e romaneve të ndaluara të tij shkohej në burg! Ai që ka folur, sakrifikuar dhe vdekur me mijra herë për këtë popull. Që e mundi Vuk Drashkoviqin në Beograd duke shkaktuar reagime të shumta në Serbisë. Adem Demaçi, i Madhi Baca Adem e hapi Zyrën e UÇK-së në Prishtinë duke pranuar të bëhet Përfaqësues Politik i UÇK-së në qytetin e rrethuar dhe të stërmbushur me policë, paramilitarë dhe ushtarë serbë në kohën kur të tjerët në me krye Ibrahim Rugovën deklaronin se është pjellë e UDB-së së Serbisë! Ky njeri i madh e mbrojti hapatas UÇK-në se nuk është terroriste kur të tjerët thonin se nuk ka kurrfarë ushtrie pos do grupeve terroriste dhe kërkonin hetim ndërkombëtar. Baca Adem e ka nënshkruar kallëzimin penal kundër Sllobodan Millosheviqit si kryetar i KMDLNj-së deri sa të tjerët bisedonin me te. E forcoi dhe e shndërroi KMDLNj-ën në dritë informative kundruall territ dezinformativ. Ka qenë shqiptari i vetëm që ka fituar me meritë Çmimin Sakharov për Mendim dhe Fjalë të Lirë si dhe disa çmime të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ishte dhe mbeti përkrahës i paluhatshëm i luftës heroike të UÇK-së dhe mbrojtës i vërtetë i vlerave të luftës. Gjithashtu , ishte dhe mbeti denoncuesi më i madh i vlerave të rrejshme, mashtruesve, kontrabandistëve të vlerave të luftës, matrapazëve të të gjitha llojeve. I respektoi miqtë ndërkombëtarë por asnjëherë nuk ua bënte rrafsh kur ishin në pyetje interesat e Kosovës dhe shqiptarëve. Për këtë arsye e refuzoi Konferencën e Rambujesë dhe mbeti thuaja i vetmuar. Hyri në “konflikt” me disa miq ndërkombëtarë kur ata e cilësuan UÇK-në si organizatë terroriste dhe kur ofronin një autonomi në kuadër të Serbisë. Kur ishin të rrezikuar shqiptarët i mbronte ata me tërë qenien e tij ndërsa kur pjesëtarët e pakicave ishin të rrezikuara pas përfundimit të luftës, u rreshtua në anën e pakicave. Prandaj, Kosova dhe krejt shqiptaria krenohet që ka pasur një njeri të tillë! Krejt në fund, lavdi jetës dhe veprës së pavdekshme të aktivistit të madh për të drejtat e njeriut, Simbolit të Rezistencës, atdhetarit, politikanit dhe udhërrëfyesit të pagabueshëm drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, të madhit Bacë Adem Demaçit!
Këto fjalë, lexues të nderuar do t’i flisnin një pjesë e politikanëve kosovarë në një mbledhje komemorative për Adem Demaçin apo gjatë ceremonisë së varrimit që e dëshirojnë, pa asnjë dyshim! Natyrisht se do të përkujdeseshin që kjo ngjarje apo eveniment ( nga fjalori i injorantëve politik) do të shndërrohej në spektakël, jo për vlerësimin e Bacës Adem por për promovime personale, partiake, politike! Me një fjalë do të shndërrohej në një folklor të ulët politiko- patriotik! Adem Demaçi nuk do të ishte në gjendje të fliste ndërsa ata pak shokë që edhe tash kanë mbetur idealistë, ose do të margjinalizoheshin, ose do të mbaheshin në mbajtje 24 orëshe sikur në kohën kur diktatori dhe krimineli prej pelushi, Josip Broz Tito e vizitonte Kosovën ndërsa atdhetarët e vërtetë izoloheshin për aq kohë sa zgjaste vizita!
2.Po si vlerësohet sot Adem Demaçi nga protagonistët e Skenarit të dëshiruar nr.1?
baca adem është tekanjoz, ngatërrestar, hakmarrës dhe konfliktuoz. Është kundër krejt botës. Nuk ka bërë kurrëfarë burgu por ka qenë i vendosur tërë kohën në një hotel luksoz dhe ka punuar për UDB-në. Prej kushteve të mira dhe luksit të tepërt duket se ka rrjedhur nga mendja! Nuk ka shkruar asgjë të hajrit përveç do shkarravinave ndërsa më të mirin roman e ka shkruar në gjuhën serbe( duke aluduar në librin për Vetmohimin ). Na mori në çafë duke e refuzuar Marrëveshjen e Rambujesë. Deri sa ne , nga dhuna dhe terrori serb e jo se nuk e donim Kosovën u detyruam ta lëshojmë Kosovën ai shetitej nëpër qendër të Prishtinës nën mbrojtje të policisë serbe! Po të ishte aq patriot dhe i hajrit a do ta lenin të gjallë a? Asnjëherë nuk ka qenë Përfaqësues Politik i UÇK-së dhe nuk ka udhëhequr kurrfarë zyre e lëre më të UÇK-ë. Aso zyre mund të ketë pasur në Argjentinë por jo edhe në Prishtinë. Ka qenë i ngarkuar për t’i formuar institucionet e Kosovës në kohën kur bira e minit ishte 300.000 grosh. Po të ishte marë e mirë do të kishte hequr qafe policia e Serbisë. Nuk po i intereson shteti por pushteti dhe me çdo kusht dëshiron të na merr pushtetin. Madje, edhe Çmimin Sakharov nuk e ka marr me meritë si presidenti i ndjerë dhe historik Ibrahim Rugova por e ka marr si akt mëshire që e kanë mbajtur në burg ( hotel me disa yje). Shitet si patriot por për Rada Trajkoviqin e jep Kosovën. A nuk e propozoi edhe për presidente të Kosovës?! Në vend si t’ia sheh dikush hajrin e sheh duke luajtur valle me romë, ashkalinj, egjiptas, boshnjak, turq etj. Duke u angazhuar për kthimin e serbëve të zhvendosur, në fakt po ndihmon kolonizimin e saj! Po thotë se duhet t’i ngritet një përmendore Sllobodan Millosheviqit që Kosova është e lirë. Ne po duam të hyjmë në Evropë e të takohemi me Elton Xhonin, Xhorxh Majkllin dhe ta vizitojmë varrin e Fredi Merkjurit e ai po na flet për do fare Adem Jashara, Fehmi Lladrovca, Bekim Berisha?! Ta dëgjojmë këngën për Dedë Gjo Lulin! Kush e dëgjon atë muzikë përveç atij, Zoti ia faltë gjynahet! Neve që luftuam për Kosovën dhe që e çliruam duke bërë zefk dhe qejf, e që tash e kemi shndërruar në plaçkë lufte duke e vjedhur ku ka dhe ku nuk ka po na thotë se do të vije një kohë kur të gjallët do ua kenë lakmi të vdekurve! Pastaj, se nuk do të mbetet askush pa u koritë! Dhe kujt? Neve , që askush nuk mund të na e thotë një fjalë të mirë e lere më të keqe po, falja o i madhi Zot se ashiqare duket se nuk është mirë! Prandaj, merre te ti atje lart në qiell e ne ja kryejmë procedurat këtu poshtë, në tokë! Sepse, jemi mjeshtër të vërtetë dhe të papërsëritshëm për improvizime dhe spektakle! Deri sa të shkojë kështu!
3. Çka kanë bërë institucionet e Kosovës, tash shteti i Kosovës për Adem Demaçin?
Deri te qeveria e Hashim Thaçit nuk kanë bërë asgjë. Ama bash asgjë! Asnjëra Qeveri! Tash po thonë se ka qenë kohë tjetër dhe se nuk kanë pasur mundësi! Ndërsa për të blerë vetura super të shtrenjta, për t’u mbytur në luks në një mjedis tmerrësisht të varfër kanë pasur mundësi. Për promovime personale, partiake, politike, klanore kanë pasur gjithmonë mjete. Askujt nuk i ka interesuar as ku jeton, me çka jeton, a ka kushte për banim, për punë, kujdes shëndetësor etj.? Nuk ka pasur asnjë përkujdesje institucionale. Përkundrazi, e kanë denoncuar te ndërkombëtarët si pengues të proceseve demokratike, nacionalist, ekstremist etj. Janë munduar ta hedhin në margjina duke ia ngushtuar dhe pamundësuar qasjen si dhe hapësirën në media të shkruara dhe elektronike. E kanë censuruar edhe në mediumin publik ku ishte kryetar i Bordit. Ndonjë komandant hajdut e ka censuruar edhe në varrime. Për ta mbuluar poshtërsinë e tyre janë munduar ta mbulojnë me pluhurin e harresës. T’ia mbyllin gojën, sytë dhe veshët. Ta ndajnë nga heronjt e luftës së lavdishme të UÇK-së e shumë marifetllëqe dhe ultësira të tjera!
4. Po çka bëri qeveria Thaçi për Adem Demaçin?
Për qëllime pragmatike apo politike u mundua të bëjë megjithatë diçka. E ftoi në çastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Botërisht tha se liria dhe pavarësia e Kosovës nuk do të kishte përmbajtje pa sakrificën dhe praninë e Adem Demaçit. Pranoi që t’i ndajë mjetet për blerjen e shtëpisë ku dikur ishte Zyra e Përfaqësuesit Politik të UÇK-së. I ndau një kompensim material mujor, jo si një rrogë mujore por si një transfer i thjeshtë!!!!! I ndau një makinë në kohën kur tezet e badigardëve vozisin xhipa të shtrenjt të blerë me paratë e buxhetit të Kosovës. Apo, kur gjithashtu disa ministra u blejnë makina të shtrenjta me paratë e buxhetit të Kosovës ( të vjedhura gjithsesi) kurtizaneve që e kalojnë një natë me to! Madje u blejnë edhe banesa apo vila në lagjet më elite në qytete të Kosovës, Shqipërisë apo shteteve të tjera ekzotike! Dhe këtu përfundon tregimi.
5. Cila është e vërteta për Adem Demaçin ?
Janë të vërteta të gjitha ato nga numri 1 i këtij shkrimi. Vetëm dua të shtoj se Adem Demaçit aspak nuk i ka interesuar dhe nuk i intereson pushteti por vetëm shteti! Andaj, askush që ka sot “pushtet” nuk do të duhet të ndjehet i rrezikuar nga Adem Demaçi sepse Baca Adem në asnjë mënyrë nuk do t’ua marr pushtetin. E them këtë me bindje të plotë! Adem Demaçi nuk ka nevojë për pension sepse nuk është pensionuar dhe asnjëherë nuk do të pensionohet në mbrojtje të interesit të popullit shqiptar, shtetit të Kosovës dhe mbarë njerëzimit! Është njëri ndër të rrallët që ka çka të thotë, që i punon truri dhe që i besohet, nëse jo në Kosovë , në vendet e tjera gjithsesi! E ka një të kaluar dhe të tashme që institucionet e Kosovës do të mund ta shfrytëzonin në planin ndërkombëtar , sidomos për lobimin për njohjen e Kosovës si shtet! E jo që, disa halahula që flasin për lobim e as që ua ndien për Kosovën! Dhe që kredibilitetin e tyre e kanë ndërtuar me injorancën e tyre! Nuk kanë mbetur në jetë shumë fitues të Çmimit Sakharov dhe nuk mund të krenohen shumë shtete se kanë bartës të këtij çmimi në mesin e tyre! Pse mos të shfrytëzohet ky Institucion dhe Autoritet Kombëtar dhe Ndërkombëtar?! Të gjithë politikanët , shqiptarë dhe kosovarë kanë dëshirë të krahasojnë Adem Demaçin me Nelson Mendelën. Kur duan të mburren me te. Sepse kanë deficit të autoritetit! E pse atëherë nuk bëjnë krahasime në trajtimin që i është bërë Nelson Mendeles nga shteti i Afrikës së Jugut dhe trajtimit që i është bërë dhe po ibëhet Adem Demaçit nga shteti i Kosovës?! Çfarë kushte për punë ka sot Adem Demaçi dhe a ka kushte jetese. Kurrfare hiç! Për të shkuar në banesë ku jeton dhe e cila nuk është e tij duhet t’i kalojë nja 150 shkallë. Nuk ka kabinet pune, personel në ndërkohë që disa ish udhëheqës komunist të para luftës ende jetojnë në vilat që ua ka ndarë ish sistemi komunist jugosllav! Mos të flasim edhe për disa antivlera politike dhe kombëtare që jetojnë në palate ata vet apo pasardhësit e tyre!
Adem Demaçi nuk është njeri i luksit dhe shpirti i tij nuk mvaret nga një makinë apo transfer mujor. As që i bëjnë përshtypje ato gjëra. Madje ato mund t’i kthejë prapa pa asnjë problem. Edhe makinën, edhe transferin mujor! Ai meriton përkujdesje institucionale si të gjitha vlerat kombëtare dhe njerëzore në shtetet normale. E kaluara e tij, e tashmja por edhe e ardhmja duhet t’i sigurojë një status të veçantë sa është gjallë, e jo pasi të vdes. Ai duhet ta ketë një vend të veçantë në Parlament me të drejtë që t’i drejtohet popullit në situata kur është e nevojshme. Sepse ai është mbi të gjitha partite dhe nuk mund të hyjë në kafazin e asnjë partie! Pastaj duket se nuk e ka mendjen të vdes shpejt apo siç thotë ai:” jo para se të në përcjellë në atë botë neve spekulantëve dhe dalaverxhinjve”. Nga fakti se i parasheh ngjarjet me një saktësi të tmerrshme, t’ua them të drejtën se nuk po ndjehem edhe aq mirë! E lere më këta të tjerët!
6. Si përfundim:
Nëse e keni lexuar me kujdes këtë shkrim atëherë lehtë do të jeni në gjendje ta kuptoni se Baca Adem nuk ka shkuar në Sarandë për pushime verore apo se ka dëshirë të notojë në det si Mao Ce Duni apo Sali Berisha! Është fjalë e rëndë, ndoshta edhe për Bacën por unë e them se ai atje është në internim! Është internuar nga politika kosovare dhe ndërkombëtare. Edhe asaj shqiptare e cila i ka ofruar kushtet për internim meqë ka një përvojë të shkëlqyeshme nga e kaluara. Në fund të fundit ka qenë një si rregull më parë! Pas vuajtjes së dënimit, të “liruarit” janë dërguar në internim! Adem Demaçi i ka kaluar afërsisht 29 vjet në burgjet jugosllave. E sa kohë do të kalojë në internim vërtet nuk e di! Besoj se as ju nuk e dini!
(*) Dërguar nga autori, drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së. Qëndrimet në këtë shkrim janë personale