Tiranë, 18 gusht, NOA – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta i ka përcjellë sot ngushëllime për katastrofën e ndodhur në Pakistan nga përmbytjet më të rënda në historinë e këtj vendi, edhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Pakistanit, Makhdoom Shah Mehmood Qureshi.
Në letrën drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Islamike, Makhdoom Shah Mehmood Qureshi, Ministri Meta ka shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet e sinqerta për viktimat e përmbytjeve të ditëve të fundit në disa provinca të vendit.
“Më lejoni t’Ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për viktimat dhe dëmet kolosale materiale të shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit në disa provinca të vendit Tuaj”, thotë zëvendëskryeministri shqiptar në letrën e tij.
Zoti Meta duke ndarë këtë dhimbje të thellë të popullit pakistanez shkruan në vijim të mesazhit të tij se “Më lejoni të ndaj me Ju këtë dhimbje të thellë që shkaktoi kjo fatkeqësi natyrore dhe t’ju shpreh Juve personalisht, Qeverisë dhe popullit mik pakistanez, ndjenjat më të ngrohta të solidaritetit dhe ngushëllimet më të sinqerta për të afërmit e viktimave”.
mit/NOA