English

PS: Qeveria Berisha dështoi me turizmin, korrupsion e pasiguri për jetën në rrugët shqiptare

Tiranë, 18 gusht, NOA – Ndërsa kryeministri Sali Berisha kërkoi nga ministrat në mbledhjen e sotme të qeverisë që në buxhetet e institucioneve të tyre t’i kushtojnë prioritet turizmit, selia rozë theksoi rishtaz se kryeministri Sali Berisha ka dështuar me turizmin, pasi nuk ka bërë asnjë hap ndaj shqetësimeve të vërteta të këtij sezoni të nxehtë siç është korrupsioni dhe siguria e jetës nëpër rrugët e vendit.

Deputetja socialiste Mimi Kodheli, në këtë kontekst deklaroi se “Sali Berisha numëron për turistë çdo qytetar shqiptar apo të huaj, që kthehet nga emigracioni apo që tranziton në Shqipëri, për arsye, që në fakt nuk kanë asnjë lidhje me turizmin. Andaj nënvizoi zonja Kodheli, kjo do të thotë se kryeministri dhe pushteti i tij kanë dështuar në mënyrë të përsëritur në ato, që duhet të ishin misioni i tyre para çdo sezoni veror.

“Nëse deklarohet, që turizmi është prioritet, e nëse Kryeministri krenohet kaq shumë me të, si ka mundësi, që aksidentet në Shqipëri janë më të lartat për frymë në Europë. Çdo vit ne gjendemi përpara këtij fakti, e po çdo vit pushteti i Berishës dështon në marrjen e masave për ta reduktuar sadopak këtë bilanc tragjik”, theksoi deputetja socialiste, duke iu referuar përë këtë edhe punimeve të papërgjegjshme të qeverisë në disa arterie kyçe të rrugëve shqiptare që vështirësojnë tejet lëvizjen duke u bërë precedent për aksidente.

Duke përmendur disa nga këto segmente si atë Durrës-Kavajë, Ballsh-Tepelenë, apo Gjirokastër-Sarandë, zonja Kodheli nënvizoi se “Punimet duhet të ishin përshpejtuar më parë, e ndaluar në muajin Gusht për të lehtësuar lëvizjen e turistëve. Për të mos përmendur pastaj akse si ai Fier-Vlorë, ku nuk është hedhur as edhe një lopatë apo riparuar një rrugë që po shndërrohet në rrezik jete të të gjithë turistëve që udhëtojnë në Jug”, shtoi deputetja Mimi Kodheli.

Sipas saj, në Shqipëri mungon siguria e jetës, dhe është pikërisht mungesa e saj që sipas zonjës Kodheli duhet ta bindë kryeministrin Berisha përkundër trumbetimeve të tij të gënjeshtërta se “realiteti i turizmit shqiptar, jo vetëm krahasuar me vitet e shkuara, por dhe krahasuar me vendet e tjera fqinjë, lë shumë për të dëshiruar dhe është ende shumë larg asaj çka Sali Berisha trumbeton”.

i.t/NOA

KOMENTE