Tiranë, 18 gusht, NOA – Rritet me me 3,5 %, niveli bazë i të së ardhurës nga papunësia, duke u siguruar për herë të parë të papunëve, më së paku një nivel minimal jetese, në kuadër të indeksimit të çmimit të konsumit.
Këtë vendim “për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia” e ka miratuar sot këshilli i Ministrave në mbledhjen e përjavshme.
Kjo e ardhur do të jetë 6565 lekë në muaj, për çdo të papunë.
Bazuar mbi këtë nivel dhe kompensimet, që i jepen çdo përfituesi, përftimi mesatar shkon në rreth 8100 lekë në muaj, bëhet e ditur në faqen zyrtare të qeverisë.
Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, përkatësisht nga buxheti për pagesën e papunësisë.
Kjo rritje, sipas qeverisë, pritet të ndikojë në zbutjen e problemeve sociale të atyre, që janë në proces trajtimi me pagesë papunësie, por edhe të atyre, që kanë hyrë së fundmi në këtë skemë mbështetjeje.
mit/NOA