English

Rrëshen-Kalimash, gjen vdekjen i përplasur 72 vjeçari, në pranga drejtuesi kosovar i automjetit

Rrëshen, 18 gusht, NOA – Një qytetar kosovar nga Ferizaj është arrestuar mbrëmë pasi ka përplasur me automjetin e tij, duke e lënë të vdekur në vend, 72 vjeçarin nga Mirdita Ndue Seferi.

Policia e Lezhës e cila po heton këtë çështje tha se autori i dyshuar i aksidentit tashmë i arrestuar është 37-vjeçari Ramiz Shahini.

Ky person akuzohet se në orët e para të mëngjesit ndërsa po kalonte në autostradën Rrëshen-Kalimash, në vendin e quajtur Zall Xhuxhë, të komunës Fanë të rrethit të Mirditës, duke udhëtuar me mjetin e tij tip Volswagen Golf 2 me targë 245 KS 407, ka përplasur këmbësorin Ndue Seferi, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme në vendngjarje.

Ndërsa drejtuesi i makinës, Ramiz Shahini, që shkaktoi aksidentin u largua nga vendngjarja pa i dhënë ndihmë të dëmtuarit.

Kapja e Ramiz Shahinit u realizua në pikën e kalimit kufitar të Morinës.

Atij iu sekuestrua edhe automjeti Vokswagen Golf 2.

Sipas hetimeve të policisë aksidenti u shkaktua për pasojë të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, nga ana e drejtuesit të makinës si dhe nga drejtimi i automjetit në gjendje të dehur.

Materialet për ndjekjen e çështjes i kaluan Prokurorisë së Lezhës, e cila përveç shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasoj vdekjen, drejtimit të automjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi e akuzon Ramiz Shahinin edhe për veprën penale të largimit nga vendi i aksidentit.

mit/NOA
KOMENTE