Prishtinë, 18 gusht, NOA - Një letër që po qarkullon në pjesën veriore të Mitrovicës ka mbajtur nën tension dje gjatë tërë ditës udhëheqësit shtetërorë të Republikës së Kosovës, ambasadorë dhe diplomatë tjerë të Quintit, KFOR-in, EULEX-in, ICO-në si dhe struktura tjera ndërkombëtare.
Spekulimet e shfaqura para disa ditëve se në Veri të Kosovës “dikush” ka hartuar një deklaratë për pavarësinë e territoreve serbe nga Republika e Kosovës është konfirmuar të martën. Struktura ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë arritën të sigurojnë një kopje të kësaj letre pesëfaqëshe, e shkruar në gjuhën serbe.
Përmbajtja e saj detyroi përfaqësues të KFOR-it dhe diplomatë të vendeve anëtare të Quintit (ambasadorët e vendeve te BE dhe i SHBA) që të kërkojnë takim urgjent me presidentin Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrin Hashim Thaçi. Takimet janë mbajtur në Presidencë, larg syrit të medieve.
Burime të gazetës Express konfirmojnë se janë mbajtur së paku dy takime të tilla që kanë qenë mjaft të gjata. Pas një pauze në mesditë, të njëjtit janë mbledhur sërish në Presidencë, nga ora 17:00 deri në 18:30. Aty kanë marrë pjesë edhe dy ministra, Skënder Hyseni dhe Bajram Rexhepi.
Më herët gjatë ditës, presidenti Fatmir Sejdiu ka biseduar në Presidencë edhe me Shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier.
Diskutime për të njëjtën temë ka pasur edhe në Beograd, mes diplomatëve perëndimorë dhe autoriteteve të Serbisë.
E përditshmja Express thotë se ka kontaktuar me zyrat e shumicës së pjesëmarrësve në takimet në Prishtinë, por askush nuk ishte i gatshëm të jap hollësi për temën që është diskutuar.
Megjithatë, burime ndërkombëtare të gazetës kanë bërë të ditur se ka pasur konsultime për një nismë serbe në Veri, për të cilën ende nuk është konfirmuar se kush qëndron pas saj.
Sidoqoftë, tashmë në Prishtinë zyrtarët vendorë dhe ndërkombëtarë e kanë në dorë projektdeklaratën me të cilën synohet shpallja e pavarësisë nga Republika e Kosovës, të territoreve me shumicë serbe.
a.r/NOA/Nga mediat kosovare