English

Shalsi: Vokshi shkeli ligjet për të fshehur pasurinë, të hetohet pasuria e burrit

Tiranë, 18 gusht 2010, NOA, Update – Selia rozë i kërkon Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurisë të nisë menjëherë hetimin administrativ për mosdeklarimin e Albana Vokshit, duke paraqitur fakte të reja, të cilat nxjerrin në pah përfshirjen e familjes Berisha dhe të njerëzve shumë pranë tyre në afera korruptive dhe në konflikt të pastër interesi.

Deputeti Eduart Shalsi duke deklaruar se kryeministri Berisha ende vazhdon të heshtë duke mos dhënë asnjë përgjigje serioze edhe pse ai akuzohet indirekt, theksoi më tej se “ashtu si çdo shtetas tjetër i Republikës së Shqipërisë Albana Vokshi, Arjan Tartari, Shkëlzen Berisha dhe Rrahman Selmanllari, nuk kanë asnjë të drejtë të bëjnë biznes në kundërshtim me ligjet e vendit, në konflikt të pastër interesi”.

Shalsi ndërkaq vëren për mediat se ish-këshilltarja e kryeministrit Berisha, sot, deputetja Albana Vokshi në deklaratën e pasurisë, nuk kishte përfshire babain e fëmijëve të saj, me të cilin bashkëjeton, Arian Tartarin me pretendimin se Ligji nuk e parashikonte një marrëdhënie të tillë.

“Për fatin e keq të zonjës Vokshi e gjithë kjo është një alibi, që nuk e nxjerr atë nga bataku ku është zhytur. Ligji shqiptar e parashikon fare qartë, të zezë mbi të bardhë detyrimin e zyrtarëve dhe deputetëve për të deklaruar pasurinë apo interesat e biznesit të personit më të cilin bashkëjetojnë. Ja ku ështe ligji”, sqaroi Shalsi.

Sipas ligjit zonja Vokshi, ka shkelur Nenin 5 atë të Interesave privatë, pikën 1, ku thuhet se Interesat privatë të zyrtarit janë ata interesa që përputhen, përmbajnë, bazohen ose burojnë nga, marrëdhënie familjare apo të bashkëjetesës.

Sipas tij në rastin e zonjës Vokshi kemi të bëjmë me shmangie, me mosplotësim të deklaratës, vetëm e vetëm për të fshehur aferën korruptive, që fshihet pas bizneseve të këtyre njerëzve në shërbim të familjes në pushtet.

Në emër të selisë rozë, deputeti Eduart Shalsi konfirmoi se “Albana Vokshi ka pranuar një dhuratë të majme, por e fshehu këtë fakt. Megjithëse përfiton nga Sali Berisha fusha nafte me vlerë 4 miliard dollarë për partnerin e saj, ajo thjesht nuk merr mundimin ta zbardhë këtë fakt në deklarimin e saj të pasurisë”.

mit/NOA
KOMENTE