Prishtinë, 18 gusht, NOA - “Kosova do t’i vazhdoj reformat e domosdoshme për të siguruar vendin që i takon në OKB, në NATO dhe në BE”, thuhet pos tjerash, në një shkrim të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në EUObserver.
Mëtutje ai thekson se “Kosova do të vazhdoj të sillet si shtet sovran dhe i pavarur, ashtu si është, dhe që GJND-ja e konfirmoi në mënyrë të fuqishme”.
Në këtë kuadër, shkruan mëtutje zoti Thaçi, Kosova e sheh opinionin e gjykatës si “një mundësi për ta lënë të kaluarën prapa nesh dhe për të ecur përpara me të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë Serbinë, drejt integrimit Evro-atlantik”.
Thaçi shkruan se Kosova mund të ulet me Serbinë për të diskutuar për çështjet praktike, por “nuk do të diskutojmë për statusin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, për integritetin territorial të Kosovës, apo krijimin e rajoneve të reja autonome brenda kufijve tanë”.
NOA