Tiranë, 18 Gusht 2010 NOA – Në morinë e shumë njerëzve që gjenden çdo mbrëmje në lokalet e shumta të kompleksit ku ndodhet Vizion Plus në kryeqytet, ka pasur sonte minuta paniku pasi të paktën katër djem u therën me thika duke përfunduar në gjendje serioze në spital.
Burime në vendngjarje i thanë agjencisë NOA se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Don Bosco” në Tiranë, ku mbetën të plagosur Orest Mula, Arben Papleka, si dhe dy vëllezërit Malvin Hasani dhe Aleksandër Hasani, që të gjithë adoleshentë të moshës 18-19 vjeç, me banim në këtë zonë.
Bëhet e ditur se në përleshjen e dhunshme që precipitoi me plasjen e thikave, morën pjesë të paktën dhjetë djem rreth 18-20 vjeçarë, banorë të zonës, të cilët më herët u grindën mes tyre për sherre të çastit.
Sipas hetimeve të para, të plagosurit Orest Mula 18 vjeç dhe Arben Papleka, 19 vjeç, i përkisnin një prej dy grupeve “rivale” në konfliktin e krijuar, kurse Malvin Hasani 19 vjeç dhe Aleksandër Hasani, vëllai i tij, ishin të plagosurit e grupit tjetër.
Në panikun e krijuar dhe në pasigurinë e gjendjes së të plagosurve, menjëherë të dëmtuarit janë dërguar në Spitalin Ushtarak që ndodhet vetëm disa qindra metra më larg, ku mjekët thonë se ata nuk paraqesin rrezik për jetën.
Policia nuk konfirmoi nese ka te arrestuar por behet e ditur se nje varg shoqerimesh jane kryer, kurse ende nuk ka detaje per shkaqet qe çuan ne kete perleshje mes adoelshntësh.
a.r/r.n/NOA