Tiranë, 19 gusht, NOA – Pas akuzave të pak orëve më parë nga deputeti i Partisë Demokratike, Florion Mima, në adresë të kryebashkiakut Edi Rama, se po betonizon Tiranën, ka reaguar edhe Bashkia e kryeqytetit, që deklaroi se Florion Mima është një nga të paditurit e bashkisë për shpifje në adresë të kryetarit të saj.
“Sot, për zotin Mima do të vijojnë kallëzimi dhe padia e radhës, përsëri për shpifje ndaj Bashkisë së Tiranës”, tha zëdhënësi i Bashkisë së kryeqytetit, Florion Serjani.
Sipas tij, dështimi i qeverisë dhe korrupsioni i saj, i bërë publik përmes dëshmive e fakteve po mundohen të fshihen pas tymnajës së shpifjeve ndaj Bashkisë.
“Kushdo që shëtit sot në Parkun e ripërtërirë të Liqenit të Tiranës e prek fare lehtë vizionin e Bashkisë së Tiranës, i cili është i ndryshëm si dita me natën, me vizionin e qeverisë, që preket po lehtësisht, duke u ngjitur përmes gropave të rrugës kombëtare në Parkun e Malit të Dajtit”, nënvizoi Serjani.
Por, sipas zëdhënësit Serjani, qeveritarëve të sotëm nuk u intereson as e vërteta dhe as publiku, po vetëm xhepi dhe pushteti i tyre i korrupsionit e i gënjeshtrës.
mit/NOA