English

Faktet apo fatet e një partie opozitare

Çfarëdo (dez)informate që të plasohet sot në publik nga një parti opozitare, qytetarët e Kosovës nuk do të tronditen. Të vetmit që do të shokohen do të jenë vetë përfaqësuesit politikë të kësaj partie opozitare, të cilat kanë lejuar vetën e tyre që të manipulohen në një shkallë të tillë degraduese

Nga Bekim Çollaku

Ankthit të pritjes po i vie fundi. Ky ankth i sajuar pa pikë shije, më shumë ka bërë kurioz vetë zyrtarët e kësaj partie sesa qytetarët e zakonshëm të Kosovës. Kjo për faktin se pretendimet e kësaj partie, për të akuzuar Qeverinë e Republikës së Kosovës për biseda të fshehta me Serbinë, janë pretendime të pabazuara, të cilave nuk u beson askush. Për më tepër, pretendimeve të tilla nuk u besojnë as vetë ata që do t’i bëjnë publike këto (dezi)informata, mirëpo tani është shumë vonë dhe s’ka kthim mbrapa. Sot, kur qytetarët e Kosovës do të zgjohen të qetë për t’u marrë me aktivitetet e tyre të zakonshme ditore, një pjesë e zyrtarëve të partisë opozitare ‘inteligjente’ do të krekosen para pasqyrave me gjatë sesa bëjnë zakonisht. Ata sot do të duan të duken bukur sepse edhe një herë kamerat e shumta do nxitojnë të drejtojnë objektivët e tyre drejt fytyrave të personaliteteve politike, të cilat do ta “shpetojnë” Kosovën në momentin e fundit. Kjo parti opozitare, duke shfrytëzuar kanalet e saj “kredibile” të mbledhjës dhe analizimit të informacioneve sekrete, arriti të zbulojë “fakte shokuese”, të cilat sot do t’ia zbulojë opinionit publik. Fatmirësisht, çfarëdo (dezi)informate që të plasojë në publik kjo parti opozitare, qytetarët e Kosovës nuk do të shokohen. Të vetmit që do të shokohen do të jenë vetë përfaqësuesit politikë të kësaj partie opozitare, të cilët kanë lejuar vetën e tyre që të manipulohen në një shkallë të tillë degraduese. Imagjinojeni sa mund dhe energji, sa shumë burime financiare kjo parti opozitare ka vënë në dispozicion vetem e vetem të sigurojë (dezi)informata të tilla nga kanalet e saj kredibile, që mund të jenë ose nga Uganda apo Serbia? Duke bërë një gjë të tillë, kjo parti opozitare arriti t’ia tejkalojë edhe Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI-së) dhe nëse vazhdon me këtë qasje kaq “serioze”, lehtë mund të zgjojë kureshtjen edhe të agjencive më të njohura botërore të inteligjencës. Por, një gjë e tillë nuk do të ndodhë sepse gjithçka që u tha më lart, është një ironi e dhimbshme. Por, le të analizojmë për një moment pse kjo parti opozitare vendosi të trillojë dezinformata të tilla të panevojshme pikërisht në një moment të tillë. A është kjo një tendencë për t’i bërë vendit tonë një shërbim patriotik apo thjesht për ta minuar imazhin e saj brenda dhe jashtë? Pse ndodh një gjë e tillë pikërisht tani dhe nuk ndodhi në dhjetë vitet e kaluara, kur takimet e palës kosovare me palën serbe janë bërë në baza ditore. Pse kryeministri aktual, sipas trillimeve të kësaj partie opozitare, vendosi të bëjë biseda sekrete me Serbinë tani, kur Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe nuk bëri atëherë kur Kosova ende ishte nën protektoratin e UNMIK-ut dhe ishte në negociata me Serbinë? Pyetje të kësaj natyre mund të ngrihen në pafundësi, ashtu siç mund të jenë edhe përgjigjet eventuale. Udhëheqësi i partisë opozitare, e cila sot në mungesë fizike të tij do të shpalosë për opinionin publik (dezi)informata, është një lider politik i respektuar në Kosovë. Ai dhe gjithë familja e tij ka bërë sakrificë për lirinë tonë, duke dhënë edhe dëshmorë. Ndërsa, sot ky lider ndodhet larg familjës dhe vendit të tij për të dëshmuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) ka qenë luftë e drejtë, luftë për liri dhe mbijetesë. Ky udhëheqës sot i mungon familjës, miqëve të tij të luftës e të paqës. I mungon shumë edhe vetë partisë së tij, e cila sot në mungesë të zotit të shtepisë ka vendosur të akuzojë qeverinë e vendit të vet për biseda sekrete me Serbinë. Për më tepër, partia opozitare në mungesë të liderit të saj, ka vendosur që ta akuzojë kryeministrin e tanishëm (bashkëluftetarin e djeshëm të udheheqësit të partisë opozitare) për konspiracion me Serbinë. Çfarë fati i keq, çfarë turpi i pashembullt! Udhëheqësi i partisë opozitare sot mungon për ta ndaluar këtë turp që kolegët e partisë së tij e kanë kurdisur për kryeministrin e vendit. Lideri në mungesë e di se kryeministri aktual do të mund të bënte shumë gjera që jodoemosdoshmërisht do t’i pëlqenin kësaj partie opozitare, por në asnjë rrethanë nuk do të bënte ndonjë veprim në dëm të interesit nacional të vendit tonë. Ai e di këtë më mirë se askush tjetër, por a e dinë këtë kolegët e tij, që tani janë duke u bërë gati të dalin para kamerave për të shpalosur trillimet e tyre? Ndoshta e dinë, ndoshta nuk e dinë. Tashmë kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është se asgjë e jashtëzakonshme nuk do të ndodhë. Sot do të jetë një ditë e zakonshme dhe qytetarët e Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të frymojnë të lirë në shtetin tonë sot e përgjithmonë. Ky është fati ynë i mirë. /express/

KOMENTE