Tiranë, 19 gusht, NOA – Ministria e Transporteve ka inauguruar sot nisjen e punimeve për ndërtimin e godinës së re të ANTA-s (Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror dhe të kullës së kontrollit.
I pranishëm në këtë cermoni ka qenë dhe ministri Sokol Olldashi, i cili u shpreh se ndërtimi i këtij objekti i shërben infrastrukturës moderne dhe standardeve teknike që duhet të plotësojë Agjencia e Trafikut Ajror Shqiptar.
“Sapo kanë filluar punimet për godinën e re dhe kullën e kontrollit të Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror. Një investim prej 12 milion Euro i bërë nga ANTA në kuadrin e Projektit “Për Modernizimin e Hapësirës Ajrore Shqiptare” i cili do ti japë agjencisë të gjitha kushtet e duhura të punës, duke pasur parasysh që transporti ajror ka pasur gjatë viteve të fundit një rritje shumë më të shpejtë nga ajo që ishte parashikuar në fillimet e këtij projekti”, u shpreh Olldashi.
Ai theksoi se që nga viti 2005 dhe deri më sot ka patur një dyfishim të numrit të pasagjerëve.
“E kemi gjetur me 730 mijë dhe jemi sot me 1 milion e 400 mijë pasagjerë. Kemi dyfishim të ulje ngritjeve në Aeroportin e Rinasit dhe për më tepër kemi një rritje me 40% të mbikalimeve në hapësirën ajrore shqiptare, pra të tranziteve përmes hapësirës ajrore shqiptare, të cilat duhet të kontrollohen nga ANTA”, tha Olldashi.
Me ndërtimin e godinës së re dhe të kullës së kontrollit parashikohet që Agjencia Nacionale e Trafikut Ajror të përballojë 2-fishin e kapaciteteve aktuale. Drejtori i ANTA-s Petrit Sulaj u shpreh se “kulla është e standardeve ndërkombëtare, ndoshta më e mira në Ballkan, me të gjithë parametrat bashkohorë të sigurisë, me aparaturat dhe sistemet më moderne”.
a.k/NOA