English

Hetime për pasuritë e kriminelëve të luftës në Serbi

Beograd, 19 gusht, NOA - Serbia ka filluar hetimet ndaj pasurisë së 22 personave të akuzuar apo të dënuar si kriminelë lufte. Hetimet janë fokusuar nëse pasuria e të akuzuarve apo të dënuarve në fjalë është vënë nga vjedhjet e viktimave të luftërave në Ballkan.

“Zyra e prokurorit për krime lufte ka nisur hetimin mbi origjinën e pasurisë së katër personave të dënuar për krime lufte në Bosnje dhe 18 të tjerëve të dyshuar për krime gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në Kosovë”, tha Bruno Vekariç për agjencinë franceze të lajmeve, AFP.

Zëdhënësi Bruno Vekariç shtoi se katër nga personat që po hetohen kanë qenë pjesëtarë të njësitit paraushtarak “Skorpions”, përfshi ish komandantin e tyre Sllobodan Mediç.

18 personat e tjerë, kanë qenë anëtarë të grupit paraushtarak “Çakalli” dhe akuzohen për vrasjen e 40 shqiptarëve në Qyshkë të Pejës. Në masakrën e majit të vitit ‘99 në këtë fshat të Pejës ata kanë grabitur dhe pasuritë e viktimave.

Sipas dëshmitarëve viktimat u detyruan t’i jepnin paraushtarakëve serbë gjithçka kishin, përfshi para dhe bizhuteri.

NOA

KOMENTE