English

Kosovë, ndalimi i hyrjes së zyrtarëve serbë, në fuqi deri në një vendim tjetër

Prishtinë, 19 gusht, NOA – Ndërsa ministri serb për Kosovën, në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, kishte paralajmëruar një vizitë në Kosovë, përkatësisht në fshatin Prilluzhë të Vushtrrisë, ku do të merrte pjesë në hapjen e një kopshti fëmijësh, autoritetet e Prishtinës, kanë ndaluar hyrjen e Bogdanoviç në kosovë, duke mos i dhënë leje ministrit të Serbisë për Kosovën, përmes vendimit të kryeministrit Hashim Thaçi, për të pezulluar të gjitha vizitat zyrtare të përfaqësuesve të Serbisë, pas provokimeve me deklarata politike të politikanëve serbë, deri në marrjen e një vendimi tjetër.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, deklaroi sot se “ministrit Bogdanoviç dhe zyrtarëve tjerë serbë u është ndaluar hyrja në Kosovë, deri në marrjen e një vendimi tjetër.

“Ne i kemi përcaktuar gjithmonë kushtet e hyrjeve dhe kohës së qëndrimit, si edhe natyrën dhe karakterin e vizitave. Në shumë raste ka ndodhur, që nuk janë respektuar kushtet e hyrjes dhe ka ndodhur, që ndonjë zyrtar të bëjë deklarime politike”, theksoi Krasniqi, duke iu referuar deklaratave të pak ditëve më parë të ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiç.

“Duke u bazuar në këto përvoja dhe shkeljen e rregullave, është vendosur që vizita e paralajmëruar, e kërkuar për sot e ministrit serb, Bogdanoviç, të refuzohet”, tha zëdhënësi i qeverisë së Kosovës.

Për këtë çështje është shprehur edhe zëdhënësja e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Julia Rojter, e cila deklaroi se “Lejen e japin vetëm autoritetet e Kosovës. Kështu që zyrat e BE-së luajnë këtu vetëm rolin e lehtësuesit në këto komunikime. Ajo që mund të them është se BE-ja inkurajon të gjitha palët që t’i respektojnë parimet e veta dhe që të shfrytëzojnë çdo rast për vendosjen e raporteve të mira ndërfqinjësore”, theksoi zonja Rojter.

Por, vendimi i kryeministrit Thaçi për ndalimin e vizitave të autoriteteve serbe në Kosovë, ka të bëjë vetëm me vizitat zyrtare dhe jo ato private.

Lidhur me këtë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se “policia, pasi kishte marrë urdhër për mos të lejuar hyrjen zyrtarit serb Dragan Petkoviç në Kosovë, me një vendim tjetër atij i është lejuar hyrja për çështje private”.

Lidhur me ndalimin e vizitës së tij, ministri serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç ka deklaruar se është koha që misioni i BE-së në Kosovë, EULEX-i, “të reagojë”, duke pritur nga ky mision, që të marrë një qëndrim tjetër që do të anashkalonte vendimin e kryeministrit të Kosovës.

mit/NOA

KOMENTE