Tiranë, 19 gusht, NOA - “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i pacënueshëm, ashtu sikurse i çdo vendi tjetër në rajonin tonë. Ndaj çdo provokim i cili tenton të vërë në diskutim pikërisht një çështje të tillë është i panevojshëm”.
Kështu ka deklaruar sot ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta në takimin e përjavshëm me gazetarët.
Sipas zëvendëskryeministrit Meta, opinioni i dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, veçse përforcoi dhe më tej legjitimitetin e vendimit të marrë nga Parlamenti dhe populli i Kosovës dhe njëkohësisht faktin që gjithçka u krye në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duke respektuar rezolutën e Këshillit të Sigurimit.
“Kjo tregon më së miri se është koha që të gjithë t’i izolojmë ata elementë ekstremistë, të cilët kërkojnë të vënë në diskutim kufijtë në rajonin e Ballkanit”, theksoi zoti Meta, duke iu referuar deklaratave të ditëve të fundit të disa subjekteve politike serbe mbi pavarësimin e Veriut të Kosovës nga shteti amë.
Zëvendëskryeministri shqiptar, nënvizoi “Është e rëndësishme që të gjithë të punojmë për t’i hequr kufijtë në Ballkan, sepse kjo është e ardhmja e rajonit: një Ballkan në Bashkimin Evropian. Ne dëshirojmë shumë, që edhe udhëheqja e Serbisë të tregojë përkushtimin e saj në këtë drejtim”, shtoi zoti Meta.
I pyetur për nismën serbe për një rezolutë për Kosovën, një pretendim që erdhi pas fjalëve se edhe Shqipëria do të paraqiste një të tillë, ministri Meta tha se “Çdo pretendim nga ana e Serbisë, se ajo ka qenë e motivuar për paraqitjen e një projekt-rezolute të njëanshme për shkak se Shqipëria do të paraqiste një rezolutë për Kosovën, absolutisht që nuk qëndron. Kjo qoftë edhe për një arsye shumë të thjeshtë, sepse Ambasadori i Serbisë në Tiranë është thirrur me porosinë time këtu në MPJ, dhe i është bërë e qartë se Shqipëria nuk tenton të paraqesë asnjë rezolutë në mënyrë të njëanshme dhe se nuk do dëshironte njëkohësisht, që edhe Serbia apo kushdo tjetër të paraqiste një rezolutë të njëanshme në OKB, pasi kjo është rruga më e gabuar për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”.
Sipas zotit Meta, është pikërisht bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë me BE-në, por edhe me partnerë të tjerë shumë të rëndësishëm dhe vitalë për të ardhmen e paqes dhe stabilitetit të këtij rajoni, siç janë SHBA-të, janë mjaft të rëndësishëm për integrimin e rajonit, andaj, nënvizoi Meta, “një pretendim i tillë nuk mundet të qëndrojë edhe për këtë fakt shumë të thjeshtë”.
Lidhur me letrën dërguar sekretares së Departamentit Amerikan të Shtetit, zonjës Hillari Klinton, ministri i Punëve të jashtme, sqaroi përmes një personazhi librash se “Nuk merrem me historitë e Kim Filbit. Kim Filbi është një personazh i viteve ‘50-‘60, ndaj Kim Filbin mbajeni në bibliotekën tuaj, pasi është personazh interesant”.
mit/NOA