English

Rihapet, pas rreth 20 vitesh Qendra e Akomodimit të Sportistëve

Tiranë, 19 gusht, NOA - Pas një mungese prej afro dy dhjetëvjeçarësh, Qendra e Shërbimeve të Sportit, e drejtuar tanimë nga atletja dhe rekordmenia e mirënjohur e pistës, Klodiana Shala, po rikthen në funksionim Qendrën e Akomodimit të Sportistëve.

Kjo qendër, e cila ndodhet në mjediset pranë Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, do të ofrojë kushte komode për sportistët në prag të grumbullimit të tyre për veprimtaritë ndërkombëtare, investimeve të AMC-së, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe biznesmenit Esat Ademi.

Sipas sportistit të mirënjohur, Ilir Suli, rikthimi në funksionim i kësaj qendre është një ogur i mirë për sportin shqiptar.

Kampioni i peshëngritjes, tha në këtë ceremoni se “Rivënia në funksionim e kësaj qendre sportive më kthen në vëmendje kujtime të bukura, pasi pikërisht në këto dhoma, madje në kushte edhe shumë më modeste se kaq, kanë ndenjur kampionë të mëdhenj, si Pirro Dhima, Luan Shabani, Mirjan Hakani, e shumë të tjerë.”

Suli në këtë rast tha se “grumbullimet i japin ekipit një shtysë tjetër, krijojnë një frymë pozitive dhe ndikojnë në rezultate më të mira. Për këtë arsye e vlerësoj si shumë të dobishme ringritjen e kësaj qendre sportive.”

Ndërsa drejtoresha e Agjencisë së Shërbimeve të Sportit, Klodiana Shala, ndjehet krenare për faktin se ringritja e kësaj qendre të akomodimit të sportistëve është bërë i mundur falë një investimi prej afro 10 milionë lekësh të vjetra. “Përfitoj nga rasti të falënderoj këtu biznesmenin e mirënjohur, dashamirësin e sportit shqiptar dhe njëkohësisht presidentin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, i cili ka kontribuar me 50 % të këtij fondi”, - thotë Klodiana Shala.

Sipas saj, po kaq i rëndësishëm ishte edhe kontributi i kompanisë së telefonisë së lëvizshme, AMC, si dhe kontributi i MTKRS-së.

Në mjediset e Qendrës së Akomodimit të Sportistëve është grumbulluar tashmë ekipi i peshëngritjes, që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të të Rriturve, që do të zhvillohet në shtator në Antalja.

Sprinterja e mirënjohur, dhe drejtoresha e Agjencisë së Shërbimeve të Sportit, klodiana Shala, nënvizon ndërkaq se “ky është vetëm hapi i parë në ristrukturimin e plotë të kësaj agjencie, pasi tani ka përfunduar dhe do të vihet në përdorim edhe salla e konferencave dhe takimeve me median”.

mit/NOA
KOMENTE