English

Rock koncert për paqe dhe miqësi në Shkup

Shkup, 19 gusht, NOA - Në Strugë zhvillon aktivitetin dy ditor përgatitor grupi prej 6 muzikantësh të rinj, të cilët do të marrin pjesë në “Rock koncertin për paqe dhe miqësi” që do të mbahet sivjet në Shkup.

Në këtë koncert, veç rinisë muzikore nga Maqedonia, që këtë aktivitet e zhvillon në organizim të Organizatës “Civil”, do të marrin pjesë edhe muzikantët e rinj nga të dy pjesët e Mitrovicës së ndarë nga dy etnitetet që jetojnë në këtë qytet buzë Ibrit.

Lidhur me këtë aktivitet, koordinatori i “Civil”, Xhabir Deralla, mes tjerash theksoi: “Ky aktivitet që filloi vitin e kaluar në Strugë dhe u kurorëzua me një koncert tepër të suksesshëm, sivjet në bashkëpunim me Rock Akademinë nga Holanda, kemi përfshirë edhe Mitrovicën-respektivisht pjesën veriore dhe jugore të Mitrovicës.

Në këtë koncert të përbashkët, që do të mbahet në Shkup, pos muzikantëve të rinj nga Maqedonia dhe Kosova, (shqiptar, maqedonas, turq etj), janë edhe muzikantët e rinj nga pjesa veriore e Mitrovicës, pra pjesëtar të etnitetit serb nga Mitrovica.

Vlen të theksohet se në këtë koncert do të jenë të pranishëm edhe vetë prindërit e këtyre muzikantëve të rinj, që do të përpiqen të tejkalojnë aktualitetin e sotëm të Mitrovicës, për një të ardhme të përbashkët”.

Koordinatori nga Rock Akademia e Holandës, Rud Borgers, që drejton këtë aktivitet në Mitrovicë, mes tjerash theksoi: “ Nuk ka shumë dallime ndërmjet sërbëve dhe shqiptarëve në fushën që unë veproj në Mitrovicë. Mbase pikërisht muzika është ura më e mirë e komunikimit dhe bashkëpunimit të tyre. Shkupi do të jetë vendtakimi i tyre i përbashkët, duke pas parasysh se në Mitrovicë për momentin është e pamundshme të realizohet një koncert i tillë në urën që bashkon Mitrovicën dhe ndanë serbët dhe shqiptarët. Ne nuk mund ta ndryshojmë Mitrovicën, por së paku mundemi të përpiqemi që të vendosim një komunikim normal”, përfundoi Borgers.

NOA/INA

KOMENTE