Tiranë, 19 Gusht 2010 NOA – “Do t’i kërkoja zotit Rama që të bëjë ai vetë, i pari, deklarimin real jo vetëm të pasurive të tij, por edhe të personave me të cilët ai ka bashkëjetuar dhe bashkëjeton”. Kjo është kërkesa që bën Albana Vokshi, deputete e Partisë Demokratike në legjislaturën aktuale.
Vokshi, mesa duket e lodhur nga deklaratat e përditshme të kohëve të fundit të PS kundër saj dhe njerëzve të saj të afërt, këtë radhë ka vendosur të flasë, ndaj mbrëmjen e sotme, ka bërë apel jo vetëm që Rama të deklarojë pasurinë e tij të vërtetë siç tha, por këtë ta bëjnë dhe ata që ai ka bashkëjetuar dhe bashkëjeton.
E sigurisht, Albana Vokshi ka aluduar këtu, për z.Dashamir Peza, një biznesmen ndërtimesh, pasi në media dhe nga politikanë të mazhorancës, mëse një herë është aluduar se z.Edi Rama jeton në banesën e Dashamir Pezës në Pezë.
Ndërsa në vijim të prononcimit të saj, Albana Vokshi ka kërkuar që t’i thuhet “mjaft, shpifjeve dhe sulmeve të turpshme të Edvin Ramës”.
Ndërkohë, Vokshi ka detajuar dhe pse deri sot “nuk u bë e gjallë”: “Deri më sot, për arsye personale shëndetësore nuk kam mundur të jem e pranishme ne media por siguroj që duke filluar që nga dita e nesërme, me fakte dhe dokumente reale konkrete do të denoncoj publikisht korrupsionin e Edvin Kristaq Ramës dhe personave që me të i lidhin interesat e mëdha materiale financiare. Mjaft më me shpifje dhe sulme te turpshme, Edvin Rama”.
Në këtë pikë, Vokshi gjen rastin të bëjë dhe disa sqarime:
“Në lidhje me akuzat për mosdeklarim të pasurisë sime, sqaroj: Çdo deklarim timin që nga viti 2005 e deri më sot e kam bërë duke respektuar me përpikmëri legjislacionin në fuqi. I kam kërkuar personalisht Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive që të shqyrtojë deklarimet e mia të pasurive të të gjitha viteve. Vete Drejtuesi i këtij institucioni, në prononcimin e tij për media, ka deklaruar që legjislacioni në fuqi nuk vë asnjë detyrim ndaj meje që të deklaroj pasuritë e personit me të cilin bashkëjetoj.
E në vijim të kësaj, Vokshi bën kërkesën publike: “Do t’i kërkoja zotit Rama që të bëjë ai vetë, i pari, deklarimin real jo vetëm të pasurive të tij, por edhe të personave me të cilët ai ka bashkëjetuar dhe bashkëjeton”.
Më tej, Vokshi i drejtohet Ramws: “Bëhesh qesharak Edvin Rama ne lidhje me te ashtuquajturën pasuri prej 4 miliardë dollarësh, gjoja dhurate qe me është bere nga Kryeministri, gënjeshtër qe as fëmijët nuk e besojnë. A e di ti qe kjo shume është gati sa gjysma e Prodhimit te Brendshëm vjetor te Shqipërisë? Apo ndikimi i simulantëve qe përdor ta bëjnë te pamundur këtë përllogaritje?”
Përsa i përket akuzave në lidhje me kompaninë Stream Oil & Gas, Vokshi thotë: “Është e turpshme të sulmohet një kompani publike kanadeze, e listuar ne bursën e Torontos që financohet nga disa nga investitorët më të fuqishëm në botë JP Morgan, Haywood etj në fushën e hidrokarbureve, energjisë etj e që për shkak të seriozitetit të tyre nuk do të pranonin asnjëherë që të bëheshin pjesë e asnjë korrupsioni qeveritar”.
Për Vokshin, “deklaratat publike të kohëve të fundit rreth “Stream” janë dëshmi e sulmeve ndaj investitorëve te huaj dhe e dëshirës se Edi Ramës per t’i larguar ata. Dhe nuk është hera e parë që ndodh kjo”.
Në lidhje me kompaninë Vizion Construction, Vokshi akuzon se “subjektet detyrohen nga Edi Rama që ne perfitim te lejeve te ndërtimit t’i japin atij pjesën përkatëse” dhe shton:
“Konkretisht zoti Rama e di qe ne truallin ku kjo kompani ka kontrate me pronarët ai zotëron 20% te ndërtimit, ne emër te sekserit te tij Dritan Avllaj, i njohur në Tiranë si Tan Lepri. Dokumenti qe vërteton këtë ortakëri u publikua dhe në median periodike”.
Në përfundim të prononcimit të saj, Vokshi vlerëson se askush, nuk mund të shkelë dot mbi dinjitetin dhe personalitetin tim dhe te familjareve te mi dhe thekson:
“Ndaj, për të gjitha ato që përmenda më lart, për të gjitha ato që di dhe nuk kam folur ende, për të gjithë dëmin moral mbi mua dhe familjen time, si dhe për dëmin e madh material që po shkaktohet çdo ditë nga sulmet denigruese, deklaroj dhe siguroj që të gjithë personat përgjegjës, duke filluar nga Edvin Rama, do të përgjigjen para ligjit”.
r.n/NOA