Ajo që duket më e lehtë, shpesh rezulton në një grackë nga e cila dilet pastaj me besim të gjymtuar. AAK e provoi këtë dje, kur nuk mundi t’i kënaqë aspak pritjet që vetë ia krijoi publikut. Ajo ngriti një furtunë në gotë, që si përfundim lagu veç atë vetë dhe nuk prodhoi asnjë ndryshim të motit
Nga Armand Shkullaku
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është as CIA dhe as SHIK. Ardian Gjini apo Blerim Shala nuk janë Xhejms Bond dhe as ekspertë të kundërzbulimit. Prandaj ata e patën të vështirë dje për të dalë nga një thriller politik, ku e futën veten pa patur aspak nevojë.Takimet sekrete, udhëtimet në qytete evropiane, misionet e fshehta, etj përfunduan në një komunikim me gazetarë të tipit: “je e dini vetë, nuk ka nevojë t’u tregojmë ne”. Për shumë arsye, aventura e re e AAK nuk mund të kishte fund tjetër. Jo për mungesë të fakteve, as nëse takimet apo bisedimet sekrete kanë ndodhur me të vërtetë, por sepse si mënyra ashtu edhe objekti i zgjedhur për t’iu kundërvënë qeverisë, ishin që në fillim të zgjedhura keq. Një kurth që AAK ia ngriti vetvetes. AAK akuzoi qeverinë se kohëve të fundit ka zhvilluar takime dhe biseda sekrete me përfaqësues të Beogradit dhe për këtë nuk ka informuar qytetarët e Kosovës. Për opozitën mungesa e transparencës në këtë rast ishte tepër e rëndë dhe qeveria duhej të jepte shpjegime. Kjo e fundit i mohoi akuzat dhe AAK premtoi se do të sillte fakte që do ta nxirrnin zbuluar qeverinë, duke e vendosur veten kështu në qendër të një suspanse mediatike që pritjet i kishte tepër të mëdha. Deri dje, sepse ushqimi i servirur në konferencën për shtyp i la përsëri të uritur gazetarët në sallë. Por problemi i AAK nuk është vetëm zhgënjimi mediatik apo ai i opinionit. Forma e zgjedhur për të goditur qeverinë, pak kohë pas vendimit të GJND, ishte e gabuar. Akuza për takime sekrete u bënë jo vetëm për të treguar mungesën e transparencës së qeverisë, por edhe për të nënkuptuar se një tradhti e madhe po luhet, se Kosova mund të shitet apo këmbëhet, se interesat kombëtare janë të kërcënuara, se qeveria po bën pazare të rrezikshme, etj. Një fushatë e tillë është jo vetëm e dalë mode, por në dukje e lehtë për të njollosur kundërshtarin, ajo fare lehtë mund të shndërrohet në bumerang. Duke qënë në kufijtë e spekullimit, sepse është e pamundur të gjesh prova se atdheu po shitet, akuza të tilla zhvlerësojnë seriozitetin e opozitës dhe i bëjnë të pabesueshme nesër qëndrime që me të vërtetë duhen marrë në konsideratë. Drejtuesit e AAK e kanë gjykuar si një taktikë politike të lehtë vënien në pozitë të vështirë të qeverisë me akuza për takime sekrete me palën serbe. Ata kanë menduar se mjafton të bëhen disa insinuata, paralajmërime për fakte e prova dhe kështu do ta gozhdojnë kundërshtarin me etiketimin e lodhur nga përdorimi, atë të flirtimit me armikun historik. Mirëpo për një forcë politike moderne duhet më shumë se kaq. Të bësh opozitë nuk mjafton të lëshosh fjalë në eter, por edhe të derdhësh mund e të ndërtosh strategji serioze për të ardhur në pushtet. AAK mund ta kishte hapur një front të tillë nëse kishte fakte dhe prova se ndonjë marrëveshje e fshehtë është arritur apo nënshkruar mes dy palëve pa informuar kuvendin e Kosovës dhe opinionin. Sepse edhe takimet jo publike, nëse kanë ndodhur, nuk çojnë drejt tradhtisë kombëtare dhe nuk janë përvojë e panjohur e praktikave diplomatike mes shteteve. Megjithatë, AAK as për takimet sekrete nuk e justifikoi fushatën që ngriti. Nuk e justifikoi edhe për një arsye tjetër. Tema e takimeve sekrete apo e pazareve të fshehta me kundërshtarin është jo vetëm e shekullit të kaluar, por nuk është në rend të ditës dhe as pika më e dobët e qeverisë së Kosovës. Nëse ka diçka që vërtet nuk varet fare nga veprimet apo vullneti i qeverisë së Kosovës, ajo është politika e jashtme. Eshtë pak e rëndë ta pranojmë kështu hapur, por vendimet për Kosovën merren në Uashington e Bruksel. Çdo zgjidhje që do ofrohet për veriun e Mitrovicës nuk do të jetë ide kreative as e Hashim Thaçit e as e Boris Tadiçit, por një vendim i pranuar nga qendrat e politikës botërore. Tema të tilla, që kanë në sfond hijen e pazareve apo tradhtive kombëtare, duken tërheqëse dhe të lehta për të goditur kundërshtarin, por në realitetin e përditshëm ato nuk u përgjigjen ndjeshmërive të qytetarëve. Opozita ka shumë tema të tjera ku mund të tregojë aftësinë e saj dhe ku mund ta vërë vërtet në vështirësi qeverinë. Në vend të gjurmimeve të takimeve sekrete, ajo duhet të gjurmojë faktet për aferat korruptive që rëndojnë mbi qeverinë Thaçi dhe të zbulojë abuzimet me fondet publike. Ajo duhet të tregojë emrat dhe listat e njerëzve të punësuar në bazë të nepotizmit dhe interesave partiake. Të flasë për papunësinë dhe të paraqesë një projekt të sajin se si do ta zbusë atë. Përpara se të kërkojë a është takuar Thaçi me Tadiçin e ç’pazare kanë bërë, le t’u tregojë qytetarëve pse janë takuar Thaçi e Sejdiu e çfarë pazaresh i mbajnë ende bashkë. Të bësh opozitë nuk do të thotë vetëm të akuzosh, por edhe t’i bindësh njerëzit në ato që thua e në ato që mund të bësh më mirë se sa kundërshtari politik. Ajo që duket më e lehtë, shpesh rezulton në një grackë nga e cila dilet pastaj me besim të gjymtuar. AAK e provoi këtë dje, kur nuk mundi t’i kënaqë aspak pritjet që vetë ia krijoi publikut. Ajo ngriti një furtunë në gotë, që si përfundim lagu veç atë vetë dhe nuk prodhoi asnjë ndryshim të motit. Për ta arritur atë duhet shumë më tepër, AAK e pati provuar në periudhën e vështirë përpara zgjedhjeve lokale. Është ende shpejt për t’u lodhur nga të bërit opozitë të vërtetë. Zgjedhjet e përgjithshme duan më shumë se një vit.