Tiranë, 20 gusht, NOA – I menjëhershëm pas deklaratës së deputetes Bulku ka qenë edhe reagimi i Bashkisë së Tiranës, e cila i quan të gjithë ata që akuzojnë kryebashkiakun Rama, si njerëz të paaftë për të konkurruar përmes punës së ndershme dhe ideve konkrete dhe që dinë vetëm të mashtrojnë e shpifin.
Zëdhënësi i Bashkisë së tiranës, Florion Serjani theksoi se “Puna e Bashkisë së Tiranës dhe rezultatet e rëndësishme për shndërrimin e kryeqytetit në një metropol të standarteve europiane vazhdojnë të verbojnë partinë e Kryeministrit”. Sipas Serjanit njerëzit e partisë së kryeministrit janë të paaftë për të konkurruar përmes punës së ndershme dhe ideve konkrete ; janë të kapur në flagrancë në afera të rënda korruptive, të cilat nuk kanë asnjë mundësi t’i mbulojnë dot. Serjani vijoi më tej duke shtuar se “përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë vijuar të bëjnë atë, që dinë më mirë, pra të shpifin e mashtrojnë kundër Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të saj”. Zëdhënësi i Bashkisë së kryeqytetit siguroi se « jemi të vendosur që fatin e këtyre mjeranëve politikë ta lëmë në duart e institucioneve të drejtësisë. Kësisoj, listës së gjatë të padive dhe kallëzimeve penale do t’u shtohen edhe shtetasja Rajmonda Bulku e për së dyti herë edhe Gerti Bogdani ». Ndërkohë, zëdhënësi Serjani, bëri me dije se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të punojë për t’u dhënë qytetarëve të saj edhe më shumë gjelbërim, edhe më shumë hapësira çlodhëse. mit/NOA