English

Daçiç: Janë arrestuar policë serbë që jepnin dokumente false qytetarëve shqiptarë

Beograd, 20 gusht, NOA – Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç deklaroi sot në një konferencë për shtyp se janë vënë në pranga një numër policësh serbë që u kanë dhënë dokumente false për vendbanime disa qytetarëve shqiptarë.

Daçiç theksoi se për këto dyshime policia serbe po bën hetime, duke sqaruar se lidhur me çështjen janë arrestuar edhe disa qytetarë shqiptarë nga Kosova, të cilët sipas ministrit serb, kanë paraqitur vendbanim të gënjeshtërt.

Sipas të dhënave të marra nga përfaqësues të disa organizatave serbe, janë 51 shqiptarë nga Prishtina dhe Podujeva, të cilët janë regjistruar si banorë të gjashtë fshatrave të komunës Meroshina, në Serbi.

Ministri serb, Daçiç, theksoi se këto raste nuk kanë ndodhur vetëm në Meroshina, por edhe në zona të tjera të Serbisë, duke nënvizuar se për marrjen e këtyre dokumenteve policët serbë janë paguar mirë nga shqiptarët.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, siguroi se policia po ushtron kontrolle të rrepta qysh prej fillimit të vitit, atëherë kur u vendos që qytetarët e Serbisë të mos kishin më nevojë për një vizë për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian.

mit/NOA
KOMENTE