English

Imami: Reformat e thella në ushtri, vetëm duke rekrutuar të rinj dinamikë

Intervista e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, dhënë gjatë vizitës në kampingun rinor në Qeparo, Himarë

Himarë, 21 Gusht 2010 NOA - Ministri i Mbrojtjes Arben Imami pohoi se nëse duam reforma të plota dhe të thella në ushtri duhet të rekrutojmë të rinj sa më të kualifikuar profesionalisht dhe me integritet.

Z. Ministër cili ishte qëllimi i vizitës suaj në komunën Qeparo?

Në bashkëpunim me pushtetin lokal po kështu edhe me organizatat rinore po përpiqemi që të japim një kontribut për të rinjtë shqiptarë që jo vetëm të argëtohen dhe të kalojnë pushimet sa më këndshëm, të njohin vendin e tyre, natyrën e mrekullueshme të Rivierës, por duke u interesuar në mënyrë të veçantë edhe për përmirësimin e imazhit të ushtrisë sonë. Jemi të interesuar në vijimësi të shtojmë intensitetin e kontakteve me publikun, pasi kjo është parësore për ne. Një ushtri e NATO-s, nuk mund të jetë një ushtri që jeton jashtë vendit, jashtë publikut, por duhet të jetë një ushtri e cila kontribuon për publikun, jep llogari para publikut, përgjigjet për taksat të cilat publiku paguan. Në këtë kontekst të marrëdhënies së Forcave të Armatosura dhe publikut, është edhe ky kontributi ynë modest, i cili, në fakt, u organizua dhe zbatua në një kohë relativisht të shkurtër. Erdha këtu në Qeparo, për të takuar organizatorët e këtij projekti, ushtarakët tanë që janë përfshirë në këtë iniciativë, të cilët në bashkëpunim edhe me drejtuesit e pushtetit lokal kanë dhënë kontributin e tyre për këtë projekt.

Ka objektiva edhe për vitin e ardhshëm?

Duke u njohur sot nga afër me këtë projekt dhe kushtet konkrete kemi mundësi që vitin tjetër të japim një kontribut edhe më të madh, akoma më serioz, për të mundësuar vazhdimësinë e kësaj iniciative.

Si e kanë pritur të rinjtë këtë iniciativë dhe bashkëpunimin e ushtrisë në këtë iniciativë?

Pata mundësinë që të takoja dhe të komunikoja me disa të rinj. E rëndësishme është që ne t’i bindim këta djem e vajza që ushtria është një vend ku ata mund të vijnë të punojnë, të japin kontributin e tyre, që ushtria ka nevojë për qytetarë dhe për njerëz të kualifikuar dhe me nivel të lartë intelektual.

Projekti do të mbetet vetëm këtu apo mendoni se duhet të shtrihet në të gjitha zonat bregdetare të Shqipërisë?

Në fakt më duhet të theksoj se kjo nuk është një iniciativë e Ministrisë. Ne do të ishim të gatshëm, sigurisht brenda kapaciteteve që kemi që të japim kontributin tonë dhe ndihmesën tonë. Do të japim kontributin tonë kudo që të na kërkohet dhe sigurisht do të përpiqemi që të shtojmë kontaktet tona e publikun e gjerë dhe sidomos me rininë. Pas 2-3 vjetësh ne do të fillojmë të rekrutojmë studentë të cilët janë diplomuar në universitetet shqiptare. Në qoftë se do të duam të kemi një reformë serioze e të plotë ushtrisë sonë, duhet pikërisht që të marrim ajkën e studentëve që dalin dhe diplomohen nga universitetet tona. Për ta bërë këtë duhet të shkojmë sa më pranë tyre në mënyrë që ata ta prekin nga afër ushtrinë, të kuptojnë mënyrën se si funksion ajo por edhe rolin e saj në një shoqëri demokratike. Ky është një hap, kjo është një mundësi. Sigurisht që vitet e ardhshme do të përfundojmë projekte dhe programe nëpër universitete, në shkollat e larta në të gjithë vendin për t’i ofruar ata në ushtri.

KOMENTE