Kiribati, 20 gusht, NOA – Ishujt Feniks në Oqeanin Paqësor, mund të jenë vendi ku çdokush çarmatoset për të ndjerë pak parajsë të brishtë, mes visesh të harruara dhe të rrethuara anekënd nga oqeani.
Bëhet fjalë për ishujt Feniks, njërin nga tre arqipelagët, që në kontinentin e Oqeanisë, formojnë republikën e Kiribatit.
Bashkë me ishujt Gilbert dhe Line, ishujt Feniks janë padyshim një vend ende i largët dhe i vështirë për tu arritur, por që ofrojnë një nga detrat më të bukur në zemër të Paqësorit. Një det, që përtej ujërave ofron për çdo udhëtar të botës, plazhe nga më të qetat dhe zbulon për sytë e kujtdo një kulturë, që duhet njohur dhe ruajtur me fanatizëm.
Tashmë jo më kot, hapësira detare e ishujve Feniks është pjesë e pasurisë dhe trashëgimisë së njerëzimit, që ruhet nga UNESCO.
Larg plazheve dhe turizmit masiv, ky zinxhir bukurish përrallore është një destinacion i preferuar për ata, që kërkojnë të përjetojnë udhëtime ekskluzive, larg masivitetit dhe jetës së zhurmshme turistike, mu në zemër të parajsës tokë.
E tërë sipërfaqja e ruajtur e ishujve Feniks përfshin 400 kilometra katrorë, më e madhja hapësirë detare e mbrojtur nga UNESCO deri më sot, e cila ngërthen një shumëllojshmëri të paimagjinueshme biodiversiteti dhe një nga ekosistemet e ishujve koralorë më të mëdhenj të botës, përveç dhjetëra malesh vullkanikë nënujorë.
Sanktuari i koraleve dhe moria e tejmadhe e peshkaqenëve, e bën këtë zonë, hapësirën që mikpret një faunë prej 800 lloj speciesh të vëzhguara, duke përfshirë, 200 lloje koralesh, 500 lloje peshqish, 44 lloje shpendësh, dhe 18 lloje gjitarësh detarë.
Ishte pikërisht kjo arsyeja që National Geographic, e ka përshkruar hapësirën detare të Ishujve Feniks si "një nga qoshet e fundit të globit, që ruan një ekosistem pothuajse primordial, një parajsë nënujore të pashkelur dhe të paprekur, nga njeriu”.
Madje sipas National Geographic, nuk duhet harruar se këto zona janë të banuara nga njerëz me origjinë micronesiane, një popullsi që i mbijetoi me kokëfortësi kolonializmit dhe ndikimeve evropiane, që prej shekullit të 19-të.
Sipas ekspertëve të trashëgimisë botërore ishujt Feniks përbëjnë një hapësirë ekzotike krejt të ndryshme nga ato perëndimore.
Pasi në këta ishuj magjepsës të Paqësorit, harron çdo gjë stresuese, që e gjen gjithkund në Perëndim, harron trafikun, rrokaqiejt apo qiellgërvishtësit, ndotjen urbane dhe ndërlikimin e jetës dhe madje edhe orën, e cila këtu nuk ekziston.
Por, ishujt Feniks dhe zonat detare të mbrojtura të tij nuk kanë të vetmin xhevahir detar, ishullin Kiribati, pasi këtë magji ishullore e përbëjnë plot 33 ishuj, që formësojnë bashkë një shtet të tërë dhe i ofrojnë kujtdo njohuri dhe aventura natyrore nga më të paharrueshmet në jetë.
Ishulli Kiritimati thënë ndryshe, ishulli i Krishtlindjes, dhuron edhe një mundësi tjetër, për ata që dashurojnë peshkimin.
Ndërsa grupi i ishujve Gilbert, i përbërë nga Tarawa, Butaritari, Abemama, janë ishuj që të pasurojnë me histori.
Në këtë ishull gjenden relike të mbetura dhe fortifikime luftarake, që prej Luftës së Dytë Botërore, para pushtimit nga Japonia në vitin '41 të shekullit të kaluar dhe pas shpërthimit të “Pearl Harbour”, relike, të cilat sot ruhen dhe mund të vizitohen nga të apasionuarit e historisë.
Ndër aktivitetet sportive më të preferuara në ishullin Fanning, pjesë e këtij arqipelagu ishullor është pikërisht surfi.
Por, si mund të shkosh në këta ishuj?
Ka një linjë ajrore nga Kiribati, fluturime private me charter, apo edhe udhëtime përmes detit, me yacht.
mit/NOA