English

Kosovë, kremtohet me aktivitete “Viti i Nënës Terezës”

Prishtinë, 20 gusht, NOA – Nobelistja shqiptare, Nënë tereza është përkujtuar sot në Prishtinë, në 100-vjetorin e lindjes së saj.

Në një seminar të mbajtur për jetën e shenjtores Nënë Terezë, ministri i Kulturës, Rinisë e Sporteve, i Kosovës, Lutfi Haziri, theksoi se “viti 2010 është viti i Nënë Terezës, në Kosovë, andaj nënvizoi ai, po zhvillohen të gjitha përgatitjet për të kremtuar këtë përvjetor të shënuar të lindjes së saj.

“Ne, edhe një herë dëshmojmë, jo vetëm kujdesin, por edhe angazhimin e përkushtimin tonë të vogël për veprën e madhe të Nënë Terezës. Ky vit është i Nënë Terezës, është vendosur tashmë dhe i përkushtohet jetës dhe veprës me rastin e 100-vjetorit të nënës së madhe-nobelistes së parë shqiptare”, tha ministri kosovar i Kulturës, Lutfi Haziri.

Organizatorët e Seminarit XXIX Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë e Kulturës Shqiptare, në këtë tryezë kushtuar nobelistes me origjinë shqiptare Nënë Tereza, apo Gonxhe Bojaxhiut, sikundër ishte emri i saj i lindjes, e përshkruan shenjtoren e Kalkutës si “Nëna Universale”, “Monumenti i popullit dhe i mbarë botës” dhe “Misionarja e dashurisë”.

Gonxhe Bojaxhiu, e njohur me emrin si Nënë Tereza, sipas Dom Lush Gjergjit, gjithë jetën e saj ia përkushtoi jo vetëm Zotit, por edhe njerëzimit.

“Prijësja e parë e Nënë Terezës është universalizmi në çdo kuptim dhe drejtim, në çdo kohë dhe hapësirë. Ajo nuk kishte për qëllim asgjë tjetër, përpos tëishte rrezja e dashurisë së Zotit”, tha Dom Gjergji.

Ndërsa drejtori i Institutit të Historisë në Kosovë, Jusuf Bajraktari, paralajmëroi mbajtjen e një konference ndërkombëtare për jetën dhe veprën e humanistes shqiptare - ngjarje që pritet të mbahet në fillim të muajit shtator në Prishtinë.

“Këtë vit, po e begatojmë me organizimin e një konference shkencore e ndërkombëtare në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës që do të mbahet më 7 shtator në Prishtinë për nder të 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës”, bëri me dije drejtori Bajraktari.

Në këtë tryezë ishte e pranishme edhe profesoresha e Universitetit të Tiranës, Aljula Jubani-Bengu, e cila citoi një nga motot lëvizëse të shenjtores shqiptare, “Bëni gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

“Na pëlqen parimi i Nënë Terezës për dashurinë, që duhet t’i kushtojmë gjithçkaje që bëjmë. Por, si mund ta zbatojmë këtë në shoqërinë tonë ku nuk rreshtin goditjet e bërrylave, nënkëmbëzat e kacafytjet?”, nënvizoi zonja Jubani.

mit/NOA
KOMENTE