English

Matura Shtetërore 2010, si të llogaritni pikët për në universitete

NGA NOA NE BASHKEPUNIM ME APRIAL

Tiranë, 20 gusht 2010 NOA - Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë publik sot për herë të parë, Librin e Transparencës ku gjenden të gjithë komponentët e Maturës Shtetërore për maturantët e këtij viti. Ndërkohë bëhet publike për herë të parë edhe mënyra se si do të përllogariten pikët.

Si llogariten pikët

Llogaritja e pikëve të secilit prej kandidatëve bëhet në bazë të kombinimit të formulave të realizuara në një program kompjuterik për programet e studimit pa konkurs dhe për programet e studimit me konkurs.

Për programet e studimit pa konkurs, formula e llogaritjes së pikëve përmban D1 – është nota e shkallëzuar e provimit të parë të detyruar, Letërsi; D2 – është nota e shkallëzuar e provimit të dytë të detyruar, Matematikë; Z1 – është nota e shkallëzuar e provimit të parë me zgjedhje; Z2 – është nota e shkallëzuar e provimit të dytë me zgjedhje; MES – është nota mesatare e marrë nga Formulari A2;

KSH – është koeficienti i shkollës (i pari në treshen e koeficientëve) KZ1, KZ2 – janë koeficientët e lëndëve me zgjedhje(i dyti dhe i treti në treshen e koeficientëve), KD1 dhe KD2 – janë dy koeficientë të vendosur me Udhëzimin e Ministrit të Arsimit Nr. 12, datë 11.03.2008 për shkollat profesionale dhe social-kulturore.

Për programet e studimit me konkurs, formula llogaritëse është: pikë Matura – janë pikët e llogaritura me formulën e mësipërme, ku Z1 dhe Z2 nuk merren parasysh për programet e studimit të Universitetit të sporteve të Tiranës, Edukim fizik dhe sporte Elbasan e Shkodër si dhe për të gjitha programet e studimit të Akademisë së Arteve.

Në këto raste Z1, Z2 ose KZ1, KZ2 plotësohen me zero. Për programet e studimit Arkitekturë (Tiranë) dhe Pedagogji e Specializuar (Vlorë) rezultatet e provimeve me zgjedhje Z1, Z2 merren në konsideratë.

Libri i Transparencës 2010

Në Librin e Transparencës 2010 për ata maturantë kandidatë që kanë dhënë provime me zgjedhje dhe kanë të pasqyruara të 5 elementet për llogaritjen e pikëve, për programet e studimit që janë me konkurse janë llogaritur vetëm pikët e maturës (duke marrë parasysh D1, D2, Mesatarja) dhe nuk janë marrë në konsideratë pikët e konkurseve meqenëse konkurset do zhvillohen më vonë.

Për rrjedhojë ato nuk janë pikët përfundimtare për ato programe studimi sepse në fazën e shpërndarjes pikët për programet e studimit me konkurse do të llogariten siç edhe është shpjeguar më lart (me formulën për programet e studimit me konkurse).

Sa i përket atyre maturantëve kandidatë që nuk kanë të plotësuara të 5 elementët e Maturës shtetërore në database (pra mungojnë provimet Z1 dhe Z2) pikët e tyre janë shënuar 0 për secilin program studimi të kërkuar.

Më shumë gjeni te Udhëzimi për librin Transparencës 2010

Këtu gjendet Lista emërore për Librin e Transparencës 2010

Në Librin e Transparencës, nuk përfshihen maturantët që nuk kanë kaluar qoftë edhe në një nga dy provimet e detyruara, pra janë vlerësuar me notën katër si edhe ata maturantë që nuk kanë nota D1 dhe D2 kaluese të pasqyruara në bazën e të dhënave

Si plotësohet Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive 2010

Bashkë me Librin e Transparencës në formë elektronike, shpërndahet dhe Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive, që lidhet me të dhënat personale dhe notën mesatare dhe nota e provimeve të detyruara (D1, D2) dhe atyre me zgjedhje (Z1, Z2) të çdo maturanti.

Ky formular është përgatitur për të evidentuar korrigjimet e pasaktësive që duhen bërë për një maturant. Formulari u jepet vetëm maturantëve që kanë kontestime për të dhënat e tyre në Librin e Transparencës.

Sipas APRIAL, maturantët duhet të ndjekin rrugën e duhur për plotësimin e formularit ku në pjesën e parë është e detyrueshme të plotësohen të dhënat për Rrethin, Bashkinë/Komunën, Shkollën dhe ID e maturantit.

Në çdo kuti shkruhet vetëm një shkronjë ose një numur. Shkronjat duhet të jenë kapitale dhe numri me shifra arabe. Këto të dhëna janë të domosdoshme për identifikimin e maturantit që kërkon ndryshime të dhënash.

Në pjesën e dytë, në seksionin si ishte, janë të detyrueshme të plotësohen të gjitha të dhënat: emri, atësia, mbiemri, datëlindja, nota mesatare (me shifra dhe me shkrim si në Formularin A2). Praktikisht këto të dhëna janë si në Librin e Transparencës.

Këto ndryshime që kërkohen nga maturanti duhet të konfirmohen nga mësuesi kujdestar, Drejtori i Shkollës, që pasi firmos vendos dhe vulën e shkollës, si dhe nga Drejtori i DAR/ZA që gjithashtu firmos dhe vulos këtë formular

Këtu gjendet Libri i Transparencës 2010

Këtu gjendet Formulari i Korrigjimit të Pasaktësive 2010

Këtu gjendet dhe një Udhëzim për plotësimin e formularit të korrigjimit të pasaktësive 2010

r.n/NOA

KOMENTE