English

Mendja e lehtë, fjalë të rënda në shqiptari!

Po cila është gjendja në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo Luginën e Preshevës, ku jetojnë shqiptarët, kosovarët dhe shtetasit e shteteve përkatëse që flasin shqip?! E tmerrshme me një fjalë

Nga Behxhet Sh. Shala

Në çdo vend apo shtet demokratik ku demokracia është e zhvilluar apo ka filluar të ecën ka pozitë dhe opozitë. E para udhëheq vendin apo shtetin ndërsa e dyta e luan rolin e gjuetarit! E zë një pritë dhe i pret gabimet e pozitës. Pastaj, ia numron një nga një! Jo plumba, si gjuetari i vërtetë por kritikat për gabime që mbështeten në fakte! Pas kësaj, në shtete normale pozita nuk do të ndjehej shumë mirë ngase do ta paguante faturën në zgjedhjet e ardhshme, duke e humbur pushtetin. Ose, nëse pozita vërtet ka “sharruar aq thellë” dhe opozita është bindëse në ofrimin e dëshmive, atëherë shkohet në zgjedhje të parakohshme ku llogarinë gjithashtu e paguan pozita! Me humbjen e pushtetit! Në shtetet normale ky nuk do të ishte asnjëherë lajm i ditës por vetëm një rifreskim apo rikonfirmim demokracisë si vlerë që synojmë ta arrijmë edhe ne, shqiptarët dhe kosovarët apo edhe anasjelltas. Po cila është gjendja në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo Luginën e Preshevës, ku jetojnë shqiptarët, kosovarët dhe shtetasit e shteteve përkatëse që flasin shqip?! E tmerrshme me një fjalë. Vetëm ne shtetet ku jetojnë shqiptarët, kosovarët dhe ata që flasin shqip kemi një opozitë që skajshmërisht e keqpërdor të qenit opozitë, jo që të përmirësohet shëndeti i demokracisë, edhe më pak e luan rolin e korrigjuesit të gabimeve të pozitës por thjesht kontributi i tyre shkon në drejtim të shkatërrimit të institucioneve dhe të vet shtetit! Pa zgjedhur mjete dhe pa i peshuar fjalët! Që të jetë paradoksi edhe më i madh kjo dukuri, fatkeqësisht është shndërruar në dukuri zbatohet vetëm kur bëhet lufta brenda llojit sepse para ndërkombëtarëve pavarësisht cilit nivel i përkasin, menjëherë e palojnë “bishtin” dhe nuk u dëgjohet fare zëri! Bëhen njerëz të tjerë! Sot, në mjediset ku jetojnë shqiptarët, kosovarët dhe ata që flasin shqip janë të theksuara dy fenomene përballë ndërkombëtarëve; 1. “bashkëpunimi”, “partneriteti” e që përkthyer shqip nënkupton fleksibiliteti deri në nënshtrim pa kusht dhe 2. denoncimi i vazhdueshëm i palës “ kundërshtare” qoftë duke përdorur edhe shpifjet më të ulëta! I keni dëgjuar kërcënimet që opozita i bën në Shqipëri duke thënë se do ta lajmërojnë misionin e OSBE-në Vjenë apo Këshillin e Evropës për moshapjen e kutive! Në Kosovë adresa e denoncimit është Dragodani dhe EULEX-i. Edhe në Maqedoni shqiptarët e denoncojnë njëri – tjetrin te ambasadat e huaja, te pushteti maqedon, te institucionet kosovare dhe në shtetin e të gjithë shqiptarëve e që nuk po na njeh shtetësinë, Shqipërinë pra! Mundësitë për denoncim këtu janë më të mëdha! Shqiptarët e Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës janë në fakt jetimë, pa babë dhe pa nënë! Në Serbi i kanë dyert e mbyllura ndërsa në Mal të Zi nuk kanë fare dyer! Pas “demokratizimit” të Serbisë dhe bashkëpunimit pa kufij të Malit të Zi me bashkësinë ndërkombëtar, interesimi për shqiptarët nga ndërkombëtarët ka rënë në zero! Prandaj janë të detyruar t’i adresojnë denoncimet në Tiranë dhe Prishtinë. E kjo i bie sikur palestinezët të qajnë dhe të kërkojnë ngushëllim para Murit të Vajtimit në Jerusalem! Edhe pozita nuk është pjesë e lojës së përcaktuar me rregulla demokratike. Madje, në shumë raste “lejohet” edhe demonstrimi i muskujve, ndonjë shpullë, grusht turinjve apo shqelmim i pjesës më të butë të shpinës ( kurrizit) llogaritet si terapi e domosdoshme apo politiko-terapi! E keni parë se nuk bëhet një javë pa e grushtuar Erion Braçen dikush, qoftë në Kuvend, qoftë në rrugë! Apo, Edvin Rama më priti me mbathje tanga, disi si Anxhelina Xholi! Ose, Ramush Haradinaj u ndal në Burgun e Hagës pse kështu deshtë këta në pushtet! Marrëveshjen e Ohrit e kanë nënshkruar këta që po na akuzojnë se jemi tradhëtarë në kohën që vet kanë tradhëtuar! Policia dhe ushtria maqedonase vrau në Brodec shqiptarë dhe armët u ambushën vet shqiptarët! Po e vjedhin shtetin dhe po e shesin shtetin e Kosovës! Kryeministri i Kosovës viziton shtëpinë publike në Shkup! Ose në Bujanoc apo Preshevë; flet shqip e vepron si Daciqi.etj,etj,etj,.

Duhet ta pranoj se këso cilësime nuk do t’i bënte as shteti armik! Jo për shkak të korrektësisë por për shkak të kredibilitetit, qoftë edhe si armik. Ndërsa, ne jemi shumë të shpejtë në rast se kur duhet ta ngrehim këmbëzën e armës aty ku nuk duhet dhe në rast se flasim fjalë të rënda dhe të pavërteta atëherë kur nuk duhet! Po ndalem pak në tri raste apo aktualitete që kanë abortuar pa lindur fare!

Rasti i Qazim Qeskës:

Qazim Qeska, anëtar i PDK-së në zgjedhjet e fundit lokale u zgjodh kryetar i Rahovecit. Ishte me shëndet të mirë dhe kishte vullnet të ushtronte detyrën që e fitoi me vota. Dikush i hudhi do bomba në oborrin e shtëpisë së tij dhe menjëherë iu përkeqësua gjendja shëndetësore që është krejt e natyrshme. Për këtë arsye ofroi dorëheqje të parevokueshme duke e lexuar tekstin e dorëheqjes para mediave, elektronike dhe të shkruara. Mandati i tij si kryetar i Rahovecit, ne rrethana normale do të duhej të përfundonte. Po të vepronte Ferat Sadria dhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu! Mirëpo ishte koha e pushimeve dhe zhvillimeve të tjera që kishin peshë më të rendë historike se Qazim Qeska. Ky ishte akti i parë i “tragjedisë”. Para se të përfundonte 45 ditëshi i paraparë për shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale për kryetar të Rahovecit e që do ta bënte presidenti Sejdiu, partitë opozitare e filluan fushatën zgjedhore. Partia e vetme opozitare në Kosovë, AAK-ë u përcaktua që Smajl Latifi të jetë kandidat i saj duke llogaritur që pas ndalimit të Ramushit në Hagë, elektorati do të votonte për Smaljin që e braktisi një parti me ambicie shumë të madhe por me potencë shumë të vogël! Smajli edhe ashtu kishte shumë vota në Rahovec. Mirëpo, sipas formulës së Nastardinit që asnjëherë nuk del ashtu si e dëshiron, dështuan edhe AAK, edhe Smajl Latifi i cili deklaroi se është fitues moral! Tash po e akuzojnë Hashim Thaçin se ua ka prishur planet që fare nuk është e vërtetë! Edhe Babën Sheh të Rahovecit që i paska fry në vesh Qazim Qeskës! Në fakt, jo Hashimi por Fatmiri ua ka prishur planet! Hashimi nuk mund t’i shpall zgjedhjet! Tash nuk po e kam të qartë pse presidenti Sejdiu nuk i ka shpallur zgjedhjet për kryetar të Rahovecit?! Ose ka qenë në pushime dhe me vonesë i ka ardhë letra e Ferat Sadrisë ose i ka thënë Hashimi që zgjedhjet lokale mbahen më vonë! Sidoqoftë, për mendimin tim Hashim Thaçi në këtë rast është krejtësisht i pafajshëm! Në fund të fundit, çfarë kryeministri apo kryetar i partisë do të ishte nëse një udhëheqës i një qeverie lokale apo anëtar i partisë që Thaçi e udhëheq do të shkonte aq lehtë dhe t’i shkaktonte telashe në kohën kur nuk jemi pa probleme?! Kështu,e bindi Qeskën t’i kthehet grixhës partiake dhe qeverisë lokale duke e thjeshtësuar problemin! Hashim Thaçi nuk është kryetar i AAK por i PDK-së prandaj veprimi i tij në këtë rast është krejtësisht normal! Kanë nxjerrë mësim nga rasti i Zafir Berishës! Edhe opozita (AAK) e kanë nënçmuar një të vërtetë shumë të rëndësishme, asaj se Hashim Thaçi është kryemjeshtër i tërheqjes së lëvizjeve të shpejta apo improvizimeve taktike! Prandaj kanë rënë në grep edhe AAK, edhe Smajl Latifi! Hashim Thaçi në lojën e shahut me lëvizje të shpejta ua bën mat të gjithë lojtarëve aktual të shahut politik në Kosovë! Ndërsa për lojëra më të gjata, lojtarët që na bëjnë mat të gjithëve janë Piter Fejt dhe Kristofer Dell. Jo pse e luajnë shahun mire por se kanë të drejtë të lëvizin figurat kur të duan, kah të duan dhe se rregullat e lojës i përcaktojnë vet! Me një fjalë, na i kanë hëngër kokrrat! AAK-së por edhe Smajl Latifit tashmë nuk i mbetet asgjë pos t’i urojnë shëndet të mirë Qazim Qeskës dhe të shkojnë në një kurs të shahut për lëvizje të shpejta te Hashim Thaçi nëse duan që rasti Qazim Qeska të jetë i fundit për ta!

Bisedimet e fshehta dhe denoncimet publike:

AAK u dobësua shumë me ndalimin e Ramushit në Hagë. Mbeti pa krye. Kur mungon kreu atëherë bishti paraqitet si zëvendësues. Mirëpo, të gjithë e dimë që Zoti i ka lënë mendtë në Kokë dhe jo në bisht. Por, çdo rregull ka përjashtime! Që u vërtetua pikërisht me AAK-në. U desh dikush që ta gjuaj një bombë tymi dhe për këtë u zgjodh Ardian Gjini ndërsa Blerim Shala ishte mbështetja për Ardianin. Tash nuk po duket më! Që nga fillimi AAK ka gabuar sepse çdo gjë në Kosovë e ka ngjyrosur me ngjyrë të zezë, pa parë asnjë pike të bardhë! Ka marrë rolin e një opozite destruktive ndërsa bartës të topuzit e kanë caktuar pikërisht Ardianin. AAK, po të ishte një opozitë konstruktive sot do të ishte në një situatë krejt tjetër. Nuk do të përpiqej t’i mbledh puplat që i ka shpërndarë vet! Në vend se të merret me aktivitete opozitare është bërë si Mbledhësi i Puplave! Mendoj se kjo paraqitje e Ardian Gjinit nuk e ka dëmtuar AAK-në sa retorika violente dhe denigruese që po e përdor një kohë aq të gjatë e që mund të cilësohet edhe si armiqësi! Prandaj ka mbetur e vetmuar, pa asnjë aleat! Madje edhe speciet politike që janë në shuarje si PSDK, LDD, AKR, nuk po i bashkëngjiten! Ramush Haradinaj është pa asnjë dyshim trim mirëpo në politikë nuk e ka gjetur formulën për zbatimin e thënies: “Trimi i mirë, me shokë shumë”. AAK –ë pa Ramushin nuk është as parti e lere më forcë politike! Gabimi strategjik i atyre që vendosën të bëjnë publik lajmin për bisedime të fshehta midis Kosovës dhe Serbisë është dashur ta kenë parasysh faktin se nëse ato bisedime vërtet janë zhvilluar atëherë janë bërë me pëlqimin dhe shtytjen e ndërkombëtarëve. Pastaj, si do të lejonin ndërkombëtarët që këto bisedime të bëhen publike ende pa e arritur qëllimin! Po të ftohej edhe AAK nga ndërkombëtarët si dhe çdo subjekt tjetër politik në këto bisedime, a mendoni se do të refuzonin?! Asnjëherë. E kanë dhënë provimin me pakon e Ahtisarit dhe bisedimet që janë zhvilluar më herët. Në rastin konkret, AAK e vërteton thënien se : “ këndesi që këndon para kohe përfundon në kazan.” Si ushqim i njerëzve apo qenëve, mbetet të shihet! Nëse ka pasur takime të fshehta midis Kosovës dhe Serbisë, pa asnjë dyshim ato do të vazhdojnë dhe mbrapa tyre qëndrojnë ndërkombëtarët. Po kush qëndron prapa Ardian Gjinit atëherë?! Nëse Ardianit i mbetet koka mbi shpatulla atëherë AAK ( Ramushi) është prapa tij. Eventualisht Blerimi si alter ego i Ramushit! Nëse e ka bërë kokë me vete atëherë do ta ketë fatin e Ali Pashë Tepelenës me një favor që edhe kokën edhe trupin do ta ketë në Gjakovë! Por jo në Prishtinë!

Deklarata e pavarësisë apo…

U shkaktua një rrëmujë në Prishtinë. Në vapën mbi 37 shkallëshe u mblodh paria kosovare dhe ndërkombëtare. Thonë se shkaku se serbët e veriut të Kosovës e paskan shpallë Deklaraciju o Nezavisnosti. E kjo i paska shqetësuar fort bosët e politikës kosovare dhe ndërkombëtare! Pastaj doli se ishin pallavra hesapi. Më bëri përshtypje që Thaçi e quajti pamflet, presidenti Sejdiu letër (thuaja si ajo për toilet) ndërsa Ministri i brendshëm Bajram Rexhepi tha se situata është nën kontroll në saje të vigjilencës së Policisë së Kosovës në Kohën kur kriminelët na vrasin nëpër shtëpi, na plaçkisin, i marrin peng fëmijët dhe na i bëjnë njëqind të zeza! E mos të flasim për të tjerat. Po betohen për Ahtisarin e pikërisht tani po na vijnë faturat e Ahtisarit. Do të na vijnë edhe më të mëdha! Një gjë e di shumë mirë! Tanëve u ka hyrë veshi në ujë sa i përket Mitrovicës. Mund të flasin, sa të duan dhe si të duan! Ndërkombëtarët tashmë janë duke punuar se si do ta bëjnë ambalazhimin e përmbajtjes ku veriu i Kosovës do ta ketë një status special! Në kufijtë e Kosovës por të kontrolluar nga Serbia! Për kokë të Parteshit historik! Be më e fortë nuk më ra ndër mend!

(*) Dërguar nga autori, drejtor ekzekutiv i KMDLNj-së. Qëndrimet në këtë shkrim janë personale

KOMENTE