English

Ministri i Mbrojtjes, në Qeparo, viziton kampingun rinor

Qeparo, 20 gusht 2010 NOA - Ministria e Mbrojtjes i është përgjigjur menjëherë iniciativës së Qeverisë dhe porosisë së veçantë të Kryeministrit Sali Berisha për të zbatuar projektin: “Politikat për Zhvillimin e Turizmit”, i mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Njësia Bashkiake Nr. 10, në kryeqytet, i cili do të zgjasë në muajt gusht - shtator.

Ministria e Mbrojtjes ka vënë në dispozicion të të rinjve shqiptarë që kanë përzgjedhur kampingun në natyrë për të kaluar pushimet në komunën Qeparo, 10 çadra me një kapacitet prej 80 vendesh.

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami gjatë vizitës që bëri dje në kampigun rinor ka takuar organizatorin dhe drejtorin e projekti pilot, Spiro Cura, të rinj pushues dhe banorë të komunës Qeparo.

Gjatë takimit, Imami ka nënvizuar rëndësinë e veçantë të projektit si për të rinjtë shqiptarë, promovimin e turizmit, por edhe për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura Shqiptare.

Ministri Imami, është njohur me kushtet e ofruara në këtë kamping, ku vlen të thuhet se kuota ditore e pagesës është vetëm një 1000 lekë, si për ushqimin gjatë gjithë ditës, ashtu dhe për akomodimin.

Pavarësisht se nuk është një projekt i inicuar nga Ministria që ai drejton, në vetvete është shumë i rëndësishëm për strategjinë dhe doktrinën bashkëkohore të bashkëpunimit midis ushtrisë dhe publikut, marrëdhënie që mbeten ndër më prioritaret si për Ministrinë së Mbrojtjes ashtu dhe Forcat e Armatosura, ka theksuar ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Nga ana e tyre të rinjtë janë shprehur shumë entuziastë dhe kanë pohuar se jo vetëm do të vijnë sërish, por do përpiqen të bindin sa më shumë shokë dhe shoqe për të kaluar pushimet në natyrën e mrekullueshme të Rivierës Shqiptare.

Në këtë vizitë ministri Imami shoqërohej nga zv. shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, kundëradmiral Kristaq Gerveni, kryetari i Njësisë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë, Blendi Fuga, si dhe banorë të zonës.

r.n/NOA

KOMENTE